Janë përcaktuar gjysma e ekipeve që do të kalojnë më tej në Europa Ligë, teksa janë mbyllur ndeshjet e luajtura në orën 18:55. Rejnxhërsi i Eros Grezdës nuk ka arritur të bëjë mrekullinë në Austri, teksa pësoi një disfatë ndaj Rapidit 1-0, me mesfushorin tonë që luajti që nga minuta e 72-të.
Gjithashtu Vijareali mori një biletë për më tej, ku fitoi 2-0 ndaj moskovitëve të Spartakut dhe e mbyll grupin si e para. Frankfurti është i vetmi ekip që e mbyll fazën e grupeve me pikë të plota, teksa fitoi në transfertë ndaj Lacios 1-2, ndërsa Marseja e mbyll me turp, pasi humbet në shtëpi ndaj qipriotëve të Apollonit 1-3.
Malmo ishte surpriza më e madhe në grupin I, ku arriti një triumf në Turqi ndaj Beshiktashit, duke lënë kështu turqit jashtë. Genku, ndërkohë kaloi lehtësisht Sarpsborgun 4-0 dhe e mbyll grupin në vendin e parë. Sevija ndërkohë, shkatërroi 3-0 Krasnodarin në shtëpi duke marrë vendin e parë në grupin J.
Francezët e Renës treguan dhëmbët ndaj Astanës, pasi i mposhtën kazakët me rezultatin 2-0, duke u ngjitur në vendin e dytë. Dinamo Kiev nga ana tjetër, pavarësisht humbjes, vijoi të ruante vendin e parë në grupin K.
Çelsi i Mauricio Sarrit nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2, në Hungari ndaj Vidit. Këta të fundit nuk arritën të kualifikoheshin, pasi si e dyta në grupin L u kualifikua BATE, e cila mposhti PAOK-un, në Selanik me shifrat 1-3.
Rapid Vien 1-0 Rejnxhërs
Vijarreal 2-0 Spartak Moskë
Lacio 1-2 Ajntraht Frankfurt
Marsejë 1-3 Apollon Limasol
Beshiktash 0-1 Malmo
Genk 4-0 Sarpsborg
Akhisar 0-0 Standard Liezh
Sevija 3-0 Krasnodar
Dinamo Kiev 0-1 Jablonec
Renë 2-0 Astana
PAOK Selanik 1-3 BATE Borisov
Vidi 2-2 Çelsi