Zhan Rodrigo Lacerda Ferreira, qendërmbrojtësi brazilian që u afrua këtë verë nga Tomori, së fundmi është ankuar për kushtet në të cilat jetonte ai dhe shokët e tij, por edhe për gjobat e vëna. Prej kohësh është larguar dhe ka lëshuar një intervistë të fortë.
Te Tomori ndërkohë nuk kanë qëndruar duarkryq dhe kanë reaguar, duke theksuar se e hedhin poshtë me neveri gjithçka është thënë nga vetë lojtari. Më poshtë janë të renditura edhe argumentet e beratasve.
QËNDRIMI KLUBIT BERATAS – Reagimi vjen pas intervistës së botuar në telesport.al nga futbollisti dezertor dhe mosmirënjohës Jean Rodrigo Lacerda Ferreira. Jemi të detyruar të hedhim poshtë me neveri atë intervistë ku në çdo fjalë të saj e ndërtuar me bazën ‘’shpif shpif se diçka do të mbetet’’. Përgjigja jonë vjen, si një detyrim ndaj tifozëve tanë dhe gjithashtu e hapur ndaj të gjithave mediave. Po ashtu ky reagim vjen për tu njohur me të vërtetën e këtij futbollisti dhe e gjitha kjo bazuar në kontratën e nënshkruar mes tij dhe klubit tonë.
- Futbollisti ka ardhur këtë verë në Berat me dëshirën e tij dhe të menaxherit të tij për të qënë pjesë e FK Tomorit.
- Pas periudhës së provës dhe konfirmimit që dha trajneri ynë pranuam të nënshkruanim një kontratë me të.
- Kontrata e nënshkruar mes tij dhe klubit tonë është trefishi i asaj që merrte në klubin e fundit ku ai kishte luajtur në Brazil(përfitonte një pagë mujore prej 250 $ ndërsa në Berat një pagë mujore prej 750 $).
- Kontrata është firmosur në prani të futbollistit dhe menaxherit të tij konform rregullave përkatëse. Gjithashtu kjo kontratë është në dy gjuhë edhe shqip edhe anglisht për të mos krijuar asnjë dyshim tek futbollisti dhe kjo lehtësisht e verifikueshme për secilën media që ka interes pasi kontrata gjendet e depozituar në FSHF.
- Përsa i përket pakënaqësisë së shprehur mbi kufizimin e ditëve për pagesën e tij të parë sërish ne kemi vepruar konform rregullave. Pasi kontrata është nënshkruar në ditën që futbollisti ka sjellë dokumentacionin përkatës në klubin tonë dhe në FSHF gjithashtu edhe kjo e faktuar, si nga ne ashtu edhe në FSHF.
- Po ashtu në kontratën e nënshkruar është e shprehur qartësisht se akomodimi dhe ushqimi duhet të sigurohet nga vet futbollisti dhe në asnjë pikë të kontratës ne nuk jemi shprehur se jemi të gatshëm ta bëjmë ne këtë. Por pavarësisht kësaj, si për futbollistin në fjalë ashtu edhe të tjerët ne u kemi dhënë mundësinë për përdorimin e dhomave të vendosura në stadiumin tonë.
- Përsa i përket pagave sërish në kontratë është pranuar që mund të ketë penalizime në pagë për mosarritje rezultatesh dhe ai shkurtim page që është bërë ndaj futbollistit është bërë e njëjtë edhe për pjesën tjetër të skuadrës me 30% të pagës mujore. Ashtu, si kemi shpërndarë edhe premio në rast fitoresh. Këtë sezon pretendimet ishin madhore ndaj edhe futbollistët e afruar janë për të bërë diferencën dhe jo për rezultatet e dy sezoneve të fundit.
- Për ta mbyllur ky futbollist është larguar pa njoftuar askënd dhe kështu ka thyer besimin e klubit dhe shokëve të skuadrës dhe ne jemi të bindur për ta vazhduar deri në fund zbatimin e kontratës me të. I kemi kërkuar të mos largohej dhe se largimi i tij ka ardhur në një pikë të sezonit ku për shkak se merkato ishte e mbyllur nuk kemi patur mundësinë për të marrë një tjetër lojtar.
Kushdo që është i interesuar për kontratën e futbollistit në fjalë ne po postojmë vetëm njërën prej faqeve të saj dhe jemi të gatshëm t’ua japim çdo pale të interesuar.