Kudo luan Partizani është edhe ai. Flasim për fotoreporterin Luigj Preçi, i cili prej dekadash regjistron momente nga më të ndryshmet në përballjet e të kuqve. Gjithashtu në aparatin e tij janë fotografuar edhe plot përballje të kombëtares.
Nisur nga kontributi i tij, FSHF e ka nderuar, duke i dhënë edhe një pllakatë mirënjohjeje për kontributin e tij ndër vite. Të enjten Preçi festoi 80-vjetorin dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit i akordoi çmimin dhe një dhuratë fotoreporterit të njohur.
POSTIMI I FEDERATËS – Luigj Preçi, një prej fotoreporterëve më pasionant të sportit dhe kryesisht, futbollit, për afro 60 vjet, ka ndjekur shumë veprimtari kombëtare, në nivel kampionati dhe kupe Shqipërie, si edhe përballjet ndërkombëtare. Me pasion ka pasqyruar përmes fotove një pjesë të futbollit shqiptar.
FSHF e respektoi punën dhe kontributin e tij, me rastin e 80-vjetorit të lindjes. Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, i dhuroi mirënjohjen e institucionit të futbollit për kontributin e tij të gjatë. Ajo u shoqërua me bluzën e personalizuar të ekipit kombëtar, me emrin e Luigj Preçit dhe numrin 80. Në këtë aktivitet merrnin pjesë figura te sportit shqiptar, gazetarisë dhe familjarë të tij.