Vetëm pak muaj më parë Milinkoviç Saviç ishte mbreti i Lacios, me i kërkuari në treg dhe transferimi i tij u ndal vetëm nga kërkesat e ekzagjeruara të presidentit Klaudio Lotito, i cili kërkon 150 milionë euro.
Megjithatë, tashmë dashuria ka marrë fund dhe po kthehet në urrejtje. Situata te Lacio është kaotike dhe ambienti shumë negativ.
Curva Nord, tribuna e tifozerisë ultras të Lacios, është e zhgënjyer nga paraqitjet e ekipit dhe mbi të gjitha në qendër të kritikave është mesfushori serb, i cili këtë sezon ka luajtur shumë dobët dhe duket se qëndrimi te Lacio është marrë kundër dëshirës së tij.
Në fakt, Milinkoviç Saviç nuk ka thënë kurrë asgjë për ndonjë dëshirë largimi dhe përkundrazi, po bisedon edhe për rinovim kontrate, sipas mediave në Itali.
Gjithsesi, kjo nuk e ka frenuar nervozizmin e tifozëve dhe dje u kalua masa, sepse në tribunë u shfaq një parullë skandaloze dhe injorante: “Milinkoviç cigan”.
Racizëm i pastër ndaj yllit të ekipit, një sjellje absurde dhe e pafalshme, që shkatërron moralisht lojtarin dhe e bën të kërkojë largimin, ndërkohë që Lacio humbet miliona euro, sepse qartësisht klubet që duan mesfushorin nuk ofrojnë më 100 milionë e lart, duke parë momentin delikat të Lacios, që do të detyrohet ta shesë që në janar, para se çmimi të zbresë në shifra qesharake.