Pep Guardiola e ka përshkruar humbjen e parë të Mançester Sitit këtë sezon në Premier Ligë si “leksion”, që lojtarët e tij duhet ta mësojnë mirë për të mbrojtur titullin dhe për të fituar Champions League për herë të parë në historinë e klubit.
Siti u mund 2-0 nga Çelsi dhe për pasojë kreu i Premier Ligës i ka kaluar Liverpulit, që do të përballet me “Qytetarët” më 3 janar.
Pas humbjes Guardiola pati lëvdata për lojën e mirë të skuadrës së tij, sidomos në pjesën e parë, por ka paralajmëruar se duhen gola, përveç lojës.
“Tetë, dhjetë minutat e parë të pjesës së dytë ishin më të mira për Çelsin, por gjithë pjesa tjetër e ndeshjes ishte fantastike për ne. Është një gëzim i madh për mua si trajner kur i shoh këta lojtarë.
“Ne luajtëm në sulm, e zotëruam lojën, qarkulluam topin dhe krijuam shanse për një apo dy gola në pjesën e parë, por fatkeqësisht nuk shënuam. Është një leksion i mirë.
“Ky është niveli i Champions League. Njerëzit thonë që Siti është favorit, por ky është niveli dhe Çelsi na shënoi me një rast. Kundërshtarët janë kaq të mirë, kaq të zgjuar. Kjo do na ndodhë në të ardhmen, në Champions”.
Guardiola nuk është dakord nëse i kujtohet renditja dhe i thuhet që Liverpuli mori rolin e favoritit për titull: “Pse, sepse janë një pikë përpara? Po dje, pse ishim ne favoritët, apo në 24 orë ndryshoi gjithçka?”.
Siti po shihej si një kandidat për ta mbyllur sezonin pa humbje, si Arsenali i vitin 2004, por Guardiola nuk e vret mendjen për rekorde: “Nuk jemi këtu për të qenë të pathyeshëm. Jemi këtu për të qenë kampionë”.