Partizani shkonte në Durrës me moralin e lartë pas fitores në derbi. Skënder Gega, trajneri i të kuqve ka folur për emisionin “Gol pas Goli” në “SuperSport”, duke dhënë mendimin e tij për duelin kundër Teutës.
Një barazim përballë një rivali direkt nuk është keq dhe Partizani vazhdon të kryesojë me 5 pikë më shumë se Skënderbeu dhe Kukësi. Gega komplimentin kolegun Shkëmbi, vlerëson kundërshtarin dhe e pranon barazimin.
BARAZIMI – “Na kënaq ky barazim. Jemi 5 pikë para, pas një ndeshje të fortë. E komplimentoj Shkëmbin. E kishim qëllim fitoren, por ndeshja tregoi se kemi probleme. E nisëm keq, jo ashtu siç duhet. Pësuam pas një goditje këndi, por reaguam dhe morëm atë që na takonte.”
MBROJTJA – “Nuk janë vetëm Belica dhe Atanda në mbrojte. Secili ka pjesën e vet. Askush nuk është i pagabueshëm. Reaguam dhe shënuam, mund të kishim shënuar sërish, por edhe Teuta luajti deri në fund fort.”
RASTI I HILËS – “Është faull. Për të tjerat duhet të flasin gjyqtarët. Deklarata që Partizani lufton i vetëm? Kam folur për duele sportive.”
GABIMET – “Nuk shkoi mirë në majën e sulmit. E nisëm me Hebajn dhe Bardhin, që nuk e kishim aplikuar më parë dhe hasëm vështirësi në kthimin pas. Në pjesën e dytë u korrigjuam. Pas shënimit të golit deri në fund të pjesës së parë u vendosëm më mirë, morëm krahun disa herë me Trashin dhe më pak me Malën. E lidh me vendosjen e dy sulmuesve tonë kryesorë, të cilët duhet të ndihmonin më poshtë.”