Mergjyshi lexon Superioren: Partizani, i “kërcënuar” nga Kukësi

Java e 16-të e Kategorisë Superiore luajti dje ndeshjen e parë të saj, në të cilën Kukësi fitoi minimalisht me Skënderbeun. Por ish-trajneri i Laçit në këtë sezon, Artan Mergjyshi, nuk e quajti këtë si kryendeshje të javës, sepse sipas tij, sfida e sotme në Durrës, Teuta-Partizani mbetet e tillë.

Për SportEkspres.com, Mergjyshi deklaroi se në Superiore po zhvillohet një “minikampionat”, ku 10 skuadrat janë ndarë në dy grupe: 6 të parat do të luftojnë për titullin kampion dhe një vend në zonën e Europës, ndërsa 4 skuadrat e fundit do të luajnë për mbijetesë. Njëherësh, ai nuk mendon se kreu do të ndryshojë dhe Partizanin e quan si Kampionin e Dimrit.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Java e 16-të e Superiores nisi dje me sfidën Kukësi-Skënderbeu, teknikisht si e përshkruani?
-Fitorja e Kukësit ishte e pritshme, e tashmë e futi veten në vallen e titullit kampion. Ka qenë një ndeshje që kishte shumë emocion nga të dyja skuadrat, por Kukësi e shfrytëzoi presionin që kishte Skënderbeu, që ka tre javë që nuk po luan mirë.

Sipas jush, penalltia në favor të Kukësit, ishte e drejtë?
-Çdo moment i lojës mund të interpretohet nga këndvështrime të ndryshme, ndërsa unë i qëndroj vendimit të arbitrit. Ishte një penallti 100% e saktë, pasi portieri i Skënderbeut bëri dy gabime të njëpasnjëshme, edhe për faktin se Kukësi i kishte vënë nën presion korçarët në ato minuta.

Ishte kjo kryendeshja e javës së 16-të?
-Mendoj se nuk ishte kjo kryendeshje, edhe për faktin se loja nuk u ngjit mbi nivelin mesatar. Kishte pak gjuajtje në portë, për të thënë se ishte më shumë skematike. Ndeshja e mbrëmjes së sotme Teuta-Partizani, mund të konsiderohet kryendeshje, ku Partizani ka provën më të vështirë për kreun.

Sot luhet edhe Tirana-Kastrioti, do të kemi ndonjë surprizë në këtë përballje?
-Surprizat janë të pranishme në futboll, ndaj ai është i bukur në tërësinë e tij. Tirana nuk do ta ketë të lehtë me Kastriotin. Krutanët kanë një atmosferë shumë pozitive në tri javët e fundit, ndërsa Tirana është krejt ndryshe, ka prodhuar lojë, por nuk ka ditur të shënojë.

Nesër do të luhen dy ndeshjet e tjera të javës së 16-të, do të jenë përcaktuese për renditjen e këtyre skuadrave?
-Natyrisht që po, sepse një fitore e Flamurtarit me Laçin, e afron atë më shumë me skuadrat e kreut, ndërsa një humbje e Luftëtarit në Kamzë, e vendos realisht në zonën e mbijetesës dhe i largon kamzalinjtë nga kjo zonë. Në këto situata, them se rezultatet do të jenë përcaktuese në renditje.

Mendoni se aktualisht kemi një Superiore me dy “minikampionate”: 6 skuadra që luftojnë për kreun dhe Europën, dhe 4 skuadra për mbijetesë?
-Në këto 15 javë që janë luajtur, janë përcaktuar skuadrat për titull dhe Europë, si dhe skuadrat për mbijetesë. Në vazhdimësi mund të ketë edhe ndonjë lëvizje, por kështu do të jetë deri në mbylljen e këtij viti. Merkato e dimrit mund të ndryshojë vendosjen e skuadrave në dy fazat e tjera.

Cilën skuadër e mendoni si “Kampione e Dimrit” në Superiore?
-Nëse i referohemi realitetit në renditje, Partizani duket se e ka vënë këtë “kurorë”, si do që të dalë sot në Durrës. Nëse do të besojmë në ndonjë surprizë, që nuk ka shumë mundësi të ndodhë, ndoshta Kukësi mund të jetë kandidati tjetër për këtë pozicion në renditje.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *