Sesk Fabregas dhe David Luiz janë në luftë të plotë me Çelsin. Dy yjet e bluve të Londrës nuk kanë ndërmend të rinovojnë kontratat në “Stemford Brixh”, duke i cilësuar të papranueshme kushtet e oferuara nga klubi.
Drejtuesit e skuadrës, i kanë ofruar dy futbollistëve kontrata afatshkurtra, duke respektuar politikën e klubit për lojtarët në moshë mbi 30-vjeçare. Por, oferta nuk është pëlqyer aspak nga Fabregas dhe David Luiz, që në një situatë të tillë janë të gatshëm të largohen, për një tjetër aventurë.
Mauricio Sarri nuk e ka fshehur faktin se dëshiron që mesfushori spanjoll dhe mbrojtësi brazilian të vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës, por vetëm besimi i trajnerit, duket se nuk mjafton. Sesk Fabregas dhe David Luiz kërkojnë kontrata afatgjata dhe nëse Çelsi nuk pranon të kënaqë kërkesat e tyre, ata do të nisin të studiojnë alternativat.