Kampionati japonez J League po kthehet pak nga pak në një arenë yjesh në fundin e karrierës, sepse vitet e fundit aty kanë firmosur Podolski, Torres, Iniesta e të tjerë emra të famshëm.
Tashmë e ka radhën një tjetër legjendë e futbollit spanjoll të firmosë në Japoni, David Vija, i cili ka arritur marrëveshjen me Visel Koben.
36-vjeçari Vija mbylli këtë muaj aventurën në Amerikë, te Nju Jork FC, ndërsa sot zyrtarizoi transferimin në Japoni, me një postim në rrjetet sociale dhe një video në YouTube.
Visel Kobe ka në radhët e veta edhe Andres Iniestën, i cili ka mahnitur në pak muaj në Japoni dhe tashmë bashkohet me një tjetër yll të Barcelonës, me të cilin ka fituar gjithçka në periudhën kur kanë luajtur së bashku në Spanjë, në vitet 2010-2013.
“Në vitet e mia si futbollist profesionist më është dashur të marr vendime të rëndësishme. Për një sportist, vendimet e marra jashtë fushe janë më të vështirat dhe unë jam para një vendimi të tillë në këtë moment. Gjatë karrierës sime kam dëgjuar gjithnjë trupin tim, njerëzit rreth meje dhe mbi të gjitha instinktin tim. Në ato momente dyshimi, shpresoj që një shenjë, një detaj apo diçka të më qartësojë. Një sfidë e re më pret, Azia”, shkruan Vija në Twitter.