Nuk u dha kartoni i kuq në fund, në Itali ndeshja riluhet

Një episod i çuditshëm ka ndodhur në futbollin italian, konkretisht në Serinë C. Në sfidën e luajtur disa ditë më parë, midis Kuneos dhe Virtus Entelës një lojtar i vendasve është ndëshkuar dy herë me karton të verdhë, por arbitri nuk e ka nxjerrë jashtë me karton të kuq.

Arbitri i takimit, Daniele Perenconi ka ndëshkuar në minutën e 61-të dhe në minutën e 90-të, Simone Paolinin, teksa me sa duket nuk e ka shënuar që mesfushori i vendasve ishte ndëshkuar më parë. Sfida përfundoi në shifrat 1-1, por ditën e sotme gjykata sportive në Itali ka vendosur që ndeshja do të riluhet.

Sipas gjykatës sportive italiane, gabimi teknik i bërë nga arbitri ka ndikuar në minutat e fundit të ndeshjes dhe në bazë të rregullave rezultati nuk do të njihet dhe ndeshja do të riluhet. Një karton i kuq i padhënë në minutën e 90-të, sjell ribërjen e ndeshjes nga e para.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *