Duket se kriza e rezultateve tek skuadra e Tomorit ka rritur dukshëm tensioni në radhët e skuadrës beratase. Si të mos mjaftonin protestat dhe bojkoti i stërvitjes përpara ndeshjes me Lushnjën, që u pasua me gjoba dhe ndëshkime nga ana e klubit për futbollistë të veçantë, së fundi ishte pezulluar edhe Lisjan Hadaj, i cili përgjithësisht ka qëndruar në pankinë.
Gjithçka ndodhi pas ndeshjes me Lushnjën, ndërkohë që pasdite e sotme situata u rëndua deri në atë masë sa që në ambientet e fushës ku stërvitej skuadra, trajner Devolli dhe mbrojtësi Lisjan Hadaj të grushtojnë njëri-tjetrin për disa çaste. Është dashur ndërhyrja e futbollistëve beratas dhe kolegëve të teknikut gjirokastrit, që situata të qetësohej.
NGJARJA – Pas ndeshjes së të rinjve, Tomori-Luftëtari, në fushën e stadiumit të qytetit të Beratit zbriti edhe ekipi i parë. Që në momentin që skuadra është rreshtuar nën urdhrat e Devollit, ka rënë në sy që mbrojtësi Lisjan Hadaj është veçuar nga grupi dhe ka nisur që të vrapojë përqark fushës.
Aty ka ndërhyrë tekniku gjirokastrite, i cili i ka kërkuar Hadajt që të linte fushën. Kjo pasi ishte i pezulluar nga stërvitja. Vetë futbollisti e ka kundërshtuar teknikun, duke i thënë: “Po bëj vrapime jashtë grupit në mënyrë individuale dhe ti nuk ke këtë të drejtë që të më pezullosh edhe nga stërvitja individuale”.
Në debat e sipër, ku pati një zënkë verbale në sy të skuadrës dhe atyre pak tifozëve të pranishëm në shkallët e stadiumit, ata i janë afruar njëri-tjetrit dhe janë goditur me grushte. Sulmin e parë e ka kryer tekniku Devolli, i cili i ka lënë madje dhe dy shenja në fytyrë futbollistit Hadaj. Ky i fundit nga ana e tij nuk është kursyer që t’i përgjigjet po me grushte teknikut gjirokastrit.
Në moment e gjithë skuadra dhe bashkëpunëtorët e Devollit kanë ndërhyrë për të ndalur sherrin dhe në mes të sharash dhe të bërtiturash, të dy “boksierët” janë ndarë nga njëri-tjetri. Dhe ndërsa tekniku Devolli ka vijuar stërvitjen së bashku me skuadrën, pas largimit të mbrojtësit Hadaj, në stadium ka mbërritur babai i tij, i cili nga tribuna VIP nuk ka i kursyer ofendimet në drejtim të trajnerit të beratasve. Kanë ndërhyrë drejtuesit e klubit dhe më pas ai është larguar. Dera e tribunës VIP dhe dera e jashtme e hyrjes kryesore të stadiumit u mbyllën me kyç deri në përfundim të stërvitjes.
REAGIMI I DEVOLLIT – Menjëherë pas përfundimit të stërvitjes, në një prej lokaleve pranë stadiumit “Tomori”, tekniku Bledar Devolli ishte nën shoqërinë e ndihmësit të tij Kelmend Agalliu. Me ta ishte edhe babait të mesfushorit të Luftëtarit, Eraldo Hyseni. Ai është edhe i afërm dhe familjar i mbrojtësit Lisjan Hadaj.
Ekskluzivisht për “SportEkspres.com”, Devolli është shprehur: “Nuk dua të flas shumë për atë që ka ndodhur, pasi kjo ngjarje nuk është aspak e shkëputur nga raste të tjerë të njohura më parë në Shqipëri dhe në Botë. Kur kjo i ka ndodhur shumë trajnerëve të njohur dhe të famshëm si Mançini&Co., besoj se edhe tek ne nuk bëjnë përjashtime. Mirë është që të mos ndodhin sepse nuk janë në dobi të futbollit dhe edukimit të brezit të ri, por e rëndësishme është që ajo që ndodhi është një rast i shkëputur që nuk do të përsëritet më. Edhe ne e kemi mbyllur me shumë mirëkuptim mes palëve qysh në momentin kur ajo ndodhi në fushën e stërvitjes. Pra aty ku ndodhi edhe e kemi mbyllur. Pas kësaj çdo koment mendoj se është i tepërt”.
LISJAN HADAJ – “Mendoj se kam qenë plotësisht pa faj, sepse fundja kam kërkuar që të zhvilloj një stërvitje individuale dhe këtë do ta bënte çdo futbollist i pezulluar në çdo skuadër. Ajo që ndodhi sigurisht që është një shfaqje e shëmtuar. Pavarësisht se kush është fajtori që çoi deri në ekstrem një debat verbal, sërish unë i kam dhënë të gjithë faljen dhe mirëkuptimin tim për gjaknxehtësinë teknikut Devolli. Shpresoj që marrëdhëniet tona do të jenë më se korrekte dhe profesionale në të ardhmen”, është shprehur Hadaj.
EDI SPAHIU