Java e 15-të rezervon ndeshjen një prej ndeshjeve më të shumëpritura në vendin tonë. Luhet derbi i kryeqytetit, me Partizanin që do të presë Tiranën në një takim që gjithnjë ka prodhuar spektakël, veçanërisht në shkallët e stadiumit.
Trajneri Skënder Gega ka folur në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ka komentuar pritshmëritë që ka për këtë takim, por dhe për gjendjen e skuadrës, apo dhe për çështjen e Alban Hoxhës.
MUNGESA E HOXHËS – “Është e vërtet që gjërat kanë funksionuar mirë, por në raste të veçanta ka pasur edhe raste të veçanta, që edhe na ka penguar në ecurinë tonë. Ka qenë shqetësim dëmtimi i Hoxhës, pasi ka ditë që nuk është i pranishëm në fushë, edhe pse ka punuar në palestër. Para derbit donim që të ishte 100% aq më tepër që është kapiten, por si qytetar duhet t’i marrim pak më gjerë këto. Si sportist nuk duhet të ishte në atë vend në atë kohë. Ligji është i barabartë për të gjithë”.
DERBI NË NJË KOHË TJETËR – “Derbin nuk mund ta ndryshojmë, pasi është caktuar për t’u zhvilluar. Për fat, Partizani është familje e madhe dhe ekipi është i kompletuar. Këto janë mungesat dhe e rëndësishëm që ekipi është i karikuar dhe do të bëjmë të pamundurën që të dhurojmë spektakël dhe të japim atë që tifozët tanë presin prej nesh”.
NERVOZIMI I TRASHIT – “Njerëzit janë të ndryshëm ka njerëz të qetë. Trashi ishte korrekt në fushë dhe në dhomat e zhveshjes, por gjatë gjithë ndeshjes, në një ambient të mbyllur, dy ose tre veta shqetësojnë duke sharë duke përdorur fjalor jo normal dhe kjo të shqetëson. Çdo gjë që ndodhi pasi përfundoi ndeshja”.
VENDIMI PËR TRASHIN -“Unë nuk i di rregullat e Disiplinës dhe e di sa e vështirë është që një lojtar të shahet gjatë gjithë ndeshjes. Disiplina ka bërë atë që duhet. Ai është i përqendruar dhe ajo që jep në fushë tregon se nuk e ka mendjen te shirit”.
DËNIMI PËR HOXHËN – “Çdo lojtar e di rregulloren e klubit. Ne flasim çdo ditë dhe sjellja jonë duhet të jetë e kontrolluar, në çdo ambient. Është lojtari i Partizanit dhe i Kombëtares. Ne e presim në stërvitje, por klubi ka ligjet dhe kriteret e veta, që Hoxha të ballafaqohet me atë që ka bërë. Policia e ka marrë përgjigjen e tij. Ne kemi kriteret e tona, rregulloren tona, për sjelljet e pahijshme, për konsumimin e alkoolit. U ndodh edhe lojtarëve të mëdhenj, por nuk duhet ta sjellim si kulturë. Ka ndodhur dhe te Reali”.
“Partizani është klub i madh, Të gjithë duhet ta kuptojnë rëndësinë e derbit. Si me Albanin, si me Trashin, qoftë edhe pa mua, apo pa Gaz Demin në tribunë, Partizani duhet të jetë gati për një derbi që do të thotë shumë për ne”.
REZULTATI – “Një trajner gjatë gjithë javës e pyet veten nëse do jetë radha jonë apo e kundërshtarit për fitore. Unë e njoh ekipin tim dhe e shoh si punon, arsyet që na kanë sjellë këtu, çdo person duhet të jetë optimist dhe them se është radha jonë përsëri”.
FANATCIS – “Fanatics-at e mbështesin ekipin e tyre, e shtynë më tepër, janë adrenalinë për ekipin e tyre, por ne kemi mbështetësit tonë dhe do të shfrytëzojmë çdo moment që do të jetë në favorin tonë”.
A DO I HIQJA NDONJË LOJTAR TIRANËS? “Nuk do i hiqja asnjë lojtar kundërshtarit, por Tiranën e plotë. Mjafton që të fitojmë dhe të jemi të sigurt, të kujdesshëm”.
DIFERENCA ME TIRANËN – ”Jemi në vendin e parë, jem ndeshur me të gjitha ekipet dhe kemi treguar se jemi ekip solid dhe me agresivitet. Ekip që është ndërthurur eksperienca me të rinjtë dhe kjo bën diferencën. Nuk ka shumë diferenca, por ky kampionat ka treguar se ne jemi të parët se e meritojmë, pjesa tjetër është diferenca”.
DEKLARTA E BRUNO DITËS – “Dita është sportist dhe i sheh gjërat më ndryshe. Mua më intereson sa ekipi është gati për këtë ndeshje dhe se çfarë mendojnë lojtarët e mi për këtë ndeshje. Interivstat e ishëve dhe kundërshtarëve janë perceptim i tyre”.