Dy rikthime të rëndësishme për Laçin, Memelli hedh sytë nga Toro

Laçi mori një fitore të vuajtur me Kastriotin, pasi u desh një gol i Xhixhës në sekondat e fundit të ndeshjes, për të rrëmbyer dhe 3 pikë të tjera shumë të rëndësishme. Kurbinasit kanë marrë 3 fitore në 4 ndeshjet e fundit dhe me meritë pozicionohen në vendin e tretë në klasifikim, në kuotë të barabartë pikësh me Teutën.

Ndeshja e radhës për bardhezinjtë është takimi me Kamzën. Trajneri Migen Memelli do të ketë dy përforcime për takimin me skuadrën nga periferia e kryeqytetit. Elvi Berisha dhe Taulant Sefgjini do të jenë nën urdhrat e trajnerit për ndeshjen e cila është programuar për t’u luajtur të dielën në mesditë.

Berisha u ndëshkua me karton të kuq në takimin me Partizanin, ndërsa Sefgjini plotësoi numrin e kartonëve të verdhë. të dy munguan në takimin me krutanët dhe për javën e 15-të do kenë mundësinë që të japin kontributin e tyre, gjithnjë nëse trajneri do u japë minuta.

Vëmendja tani është te Sebastian Toro. Kiliani ka shfaqur një problem të vogël fizik dhe ka qenë nën kujdesin e mjekëve për gjatë gjithë kohës. Gjatë javës do të shihet gjendja e tij dhe më pas do të mësohet nëse do të jetë i gatshëm për takimin e radhës apo do të qëndrojë dhe një javë pushim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *