Çështja e nxehtë, Sergio Ramos i injoroi paralajmërimet e zyrtarit të anti-dopingut!

Gjermania “Der Spiegel” ka zbuluar disa të reja sa i përket akuzave ndaj Sergio Ramos për përdorim dopingu. “Football Leaks” publikoi lajmin që mbrojtësi i Realit kishte përdorur substancën “desametason”, që ka veti për të luftuar dhimbjet, ose problemet muskulore. Kjo substancë është e ndaluar nga Agjencia Ndërkombëtare Anti-Doping, por mund të përdoret nga sportistët vetëm si kurë.

Bëhet fjalë për finalen e Champions Ligës kundër Juventusit në vitin 2017 dhe ndeshjen e 15 prillit të këtij viti, Malaga-Real Madrid. Gazeta gjermane ka publikuar raporte nga zyrtari i kontrollit të dopingut, i cili thekson se kapiteni i Realit ka thyer protokollin anti doping. Emri i tij nuk bëhet i ditur, por lojtari i ka shpërfillur paralajmërimet e tij.

Sportisti Sergio Ramos më pyeti nëse mund të bënte një dush përpara kontrollit të urinës, sepse ekipi po e priste për të fluturuar drejt Madridit. I thashë atij se rregullat e AEPSAD (Agjencia Sportive Spanjolle e Mbrojtjes së Shëndetit) nuk e lejonin diçka të tillë dhe nuk mund ta bënte. Ai pati një mosmarrëveshje me mjekun e Realit dhe më thanë se në ndeshjet e UEFA-s dhe kampionatit lejohej një gjë e tillë. U përgjigja se nuk e dija një gjë të tillë, por edhe nëse ishte e vërtetë, gjë që nuk e besoja, nuk do e lejoja të bënte dush përpara kontrollit. Ai nuk i mori parasysh paralajmërimet e mia dhe shkoi të lahej në dush. E informova se kjo gjë do të pasqyrohej në raportin përkatës, por Ramos nuk i dha fare rëndësi kësaj gjëje”, sqaron personi në fjalë.

Ramos ishte shprehur një ditë më parë për episodin e ndodhur në ndeshjen me Malagën se: “Kur mbaroi ndeshja, më kërkuan që ti nënshtrohesha kontrolleve anti doping. Prej kohës së pakët për udhëtimin e kthimit, zyrtari më la kohën që të bëja dush, duke qëndruar gjatë gjithë kohës në prezencën e tij, përpara se të kryeja kontrollet, të cilat, si në çdo rast, i kalova.”

Por, neni i rregullores e ka të qartë. “Në rastet e grumbullimit të mostrave të urinës, personi i ekipit të kontrollit anti doping shoqëron atletin dhe nuk duhet ta lejojë atë të lahet, bëjë dush, apo të urinojë.”

Raporti përfundimtar i përgatitur nga kreu i Departamentit të Kontrollit të Dopingut të AEPSAD i datës 21 shkurt të këtij viti specifikon se qëndrimi i lojtarit konsiderohet si një shkelje shumë serioze.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *