Pep Guardiola përgatit blerjen më të shtrenjtë në historinë e Sitit

Pavarësisht se humbi mbrojtësin e majtë, Benxhamin Mendi deri në mesin e muajit shkurt, Pep Guardiola mohoi se do të ndërhyjë në merkaton e dimrit, për të gjetur një zëvendësues. Trajneri katalan beson se Mançester Siti ka kontingjentin dhe kualitetin që ta përballojë këtë mungesë.

Guardiola hodhi kategorikisht poshtë mundësinë e një afrimi në repartin difensiv gjatë afatit të transferimeve të janarit, duke deklaruar: “Në asnjë mënyrë”. Kjo do të thotë se “Qytetarët” do të presin deri në merkaton e verës, atëherë kur mendohet se do të realizojnë edhe goditjen e madhe.

Shënjestra e Mançester Sitit është mesfushori i Ajaksit, Frenki de Jong. Vetëm 21-vjeçar, talenti holandez është një talent që vlerësohet maksimalisht, e madje cilësohet edhe si ylli i së ardhmes në futbollin botëror. Sipas “Telegraph”, ai shihet si pasardhësi i denjë i Fernandinjos.

Blerja e De Jong do t’i kushtonte Guardiolës dhe arkave të Sitit plot 85 milionë euro. Nëse transferimi i tij do të realizohej, atëherë holandezi do të bëhej blerja më e shtrenjtë në historinë e Mançester Sitit, duke vendosur një primat të ri pas 68 milionë eurove të paguara gjatë kësaj vere për blerjen e Rijad Mahrez.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *