Mbas 16 vitesh në krye të Palermos, presidenti “ikonë” i klubit sicilian, Mauricio Zamparini ka hequr dorë nga karrigia e presidentit. Në një komunikatë të nxjerrë ditën e sotme në sajtin e klubit, është njoftuar shitja e të gjithave aksioneve të italianit.
Pronarët e rinj të Palermos janë një grup investitorësh anglezë, të cilët kanë premtuar se do investojnë shuma të mëdha parash për ta kthyer skuadrën në një ekip stabël në elitën e futbollit italian, Serie A.
Në 16 vite si president i Palermos, Zamparini shkarkoi 44 trajnerë, një rekord ky më vete për futbollin italian, por edhe më gjerë. Nën “mbretërimin” e 77-vjeçarit, arritja më e lartë e klubit sicilian ishte renditje në vendin e pestë të Serie A në sezonet: 2005/2006, 2006/2007 dhe 2009/2010.