Ernest Gjoka ka një mision të vështirë, teksa mori përsipër për të shpëtuar Kamzën nga rënia prej kategorie. Tekniku i cili ka fituar titullin me Kukësin u prezantua sot në një konferencë zyrtare. Numri një i stolit të Kamzës preku disa tema delikate, duke nisur që nga financat dhe deri te rivalët për mbijetesë dhe nevoja për merkato.
A është Kamza një mision i pamundur, duke marrë parasysh pozitën ku ekipi ndodhet në klasifikim?Situata nuk është aspak e mirë, situata është e vështirë, por ne e dimë tani se puna e trajnerit është një punë që rriskon gjithnjë. Për ne trajnerët sfidat janë oksigjeni i kësaj pune. Kjo na mban në ritëm. Ardhja te Kamza në këto momente, do të jetë një shenjë pozitive për të nxjerrë Kamzën nga ky moment.
Ju duket skuadra e kompletuar apo nevojitet merkato?
Nevoja më e madhe në këto momente është që të nxjerrim skuadrën nga situata kritike që ka. Ana psikologjike është situata e parë, sepse vetë vendi ku është Kamza nuk i jep qetësi skuadrës. Ky është plani A dhe plani kryesor. Çdo skuadër ka nevojë të forcohet me cilësi.
Cila arsyeja që ju bini të pranonit ofertën e Kamzës?
Në punën tonë kur je në një moment pa skuadër mund të dalë zëri për shumë ekipe kur ka ndryshime trajnerësh. Zgjodha Kamzën për një sfidë dhe për një sfidë dhe për një punë ndryshe, zgjodha Kamzën pasi edhe presidenti Qarri këmbënguli shumë. Duke pasur parasysh dhe strategjinë e re me ardhjen e drejtorit ekzekutiv besoj se do të bëjmë diçka ndryshe.
Sa e njihni grupin e lojtarëve?
Grupi ka cilësi brenda, ka eksperiencë, por mungon vetëm qetësia. Këto po tentojmë ne si staf të ndryshojmë dhe të kthejmë një mentalitet ndryshe. Skuadrat kanë nevojë për ardhje dhe për cilësi të tjera.
Ju ka garantuar klubi qetësi nga ana financiare deri në fund të sezonit?
Nuk është momenti më i mirë i mundshëm në futbollin shqiptar sa i përket kësaj pjese. Shumë skuadra i shoh që kanë vështirësi, ndoshta ky mund të jetë një ngërç. Në bisedimin me presidentin më ka siguruar se skuadra do të jetë e qetë nga ky aspekt.
Keni folur me lojtarët si është situata dhe a kanë frikë për revolucion në janar?
Nuk është çështje revolucioni lojtarësh, por skuadra duhet të bëjë atë që bën më mirë. E kemi diskutuar me lojtarët dhe u kemi thënë se me cilësinë që kanë në skuadër nuk duhet të ishin në këto pozita ku janë. Është një sport i paparashikueshëm dhe në shumë situata mund të ngecësh dhe të gabosh. Çështja një është çështje rezultatesh. Ne në çdo moment vlerësohemi nga rezultatet e punës. Duhet të ndryshojmë mentalitetin, të sjellim një mentalitet europian të ecim para, duke pasur parasysh këtë gjë, mendoj dhe besoj se skuadra do ecë para.
Rival direkt për mbijetesën?
Gjashtë skuadra janë në garë për Europën, ndërsa katër të fundit janë në luftë për mbijetesë. Ky është pani ynë për momentin, që të dalim nga kjo situatë kritike.