Një gol i Politanos në minutën e katërt shtesë i dha fitoren Italisë përballë SHBA. Interistit iu deshën vetëm 7 minuta në fushë për të gjetur golin e parë me kombëtaren e kaltër. Roberto Mançini shfrytëzoi këtë miqësore për të provuar lojtarë të rinj dhe për të iu dhënë shansin të tregojnë vlerat e tyre.
Debutim pozitiv për Sensin, Grifon dhe Kin. Trajneri i Italisë nuk i kursen fjalët e mira për ta, por dhe për të gjithë lojtarët e tjerë. Kombëtarja po rikthehet, ndërsa Mançini tregon dhe objektivat për eliminatoret e Europianit. Gjithçka është në rrugën e duhur, por kjo Itali duhet të shënojë më shumë dhe të ketë një raport më të mirë me golin.
ITALIA – “Do të më vinte keq për lojtarët dhe tifozët, nëse ndeshja do të mbyllej pa gola. Duhet të shënonim më parë. Mendova se mbaroi dhe kjo ndeshje 0-0, por ky është futbolli. Rëndësi ka që zhvilluam një ndeshje të mirë. Nuk prisja të luanim shumë mirë për gjatë gjithë 90 minutëshit: ishte hera e parë që disa lojtarë luanin së bashku. Jemi në përputhje me pritshmëritë, ndoshta dhe pak më mirë. Po luajmë mirë dhe kjo është e rëndësishme. Në eliminatoret e Europianit duhet të përpiqemi t’i fitojmë të gjitha ndeshjet.”
DEBUTUESIT – “Sensi, Grifo dhe Kin bënë mirë, por dhe Açerbi me De Shiljon. Më pëlqyen të gjithë, madje dhe Galjardini bëri gjëra pozitive. Më vjen keq që nuk do i shoh djemtë për disa muaj. Shpresoj që të bëjnë mirë në klubet e tyre.”
MENTALITETI – “Ndeshjet ndërkombëtare nuk janë kurrë të thjeshta. Sigurisht që është ndryshe të luash kundër Portugalisë dhe SHBA, por, e përsëris, çdo ndeshje është komplekse. Pavarësisht shumë ndërrimeve, kam vënë re të njëjtin qëndrim, nga minuta e parë deri në minutën e fundit. Jam i kënaqur me këtë mentalitet, thjeshtë duhet të shënojmë më shumë.”