Para disa ditësh u fol për rinovimin e kontratës së Diego Simeones me Atletikon e Madridit. Mediat spanjolle folën për një arritje akordi, që do e bënte trajnerin më të paguarin në klub, me mbi 20 milionë euro në sezon. Një gjë e tillë është përgënjeshtruar. Një zyrtar i Atletikos ka folur për “ESPN FC”, duke treguar të vërtetën e bisedimeve.
“Akoma nuk ka negociata të hapura për kontratën e re të Simeones dhe harmonia midis klubit dhe trajnerit është e plotë. Të dy palët e konsiderojnë që tani nuk është momenti i duhur për t’u ulur e biseduar”, rrëfen drejtuesi i klubit colchoneros.
Simeone drejton Atletikon nga dhjetori i vitit 2011, ndërkohë që është trajneri më fitues i historisë s klubit. 1 La Liga, 1 Kupë Mbreti, 1 Superkupë Spanje, 2 Superkupa Europiane dhe 2 Europa League, Pa harruar dhe dy finalet e Champions-it, të humbura të dyja përballë Realit të Madridit.
Kontrata e argjentinasit me Atletikon skadon në vitin 2020, ndërsa palët janë të bindur dhe të qetë se ka kohë për të diskutuar për rinovimin.