Mançester Siti nuk hasi shumë probleme për të fituar derbin e qytetit, duke mposhtur Mançester Junajtid me rezultatin 3-1. Ky trepikësh i ngjit djemtë e Guardiolës në vendin e parë me 32 pikë, dy më shumë se Liverpuli dhe dhjetë pikë sipër “Djajve të Kuq”.
Golat e Silvës, Agueros dhe Ilkai Gyndogan i dhuruan Sitit fitoren e dhjetë në kampionat dhe të shtatën rresht, mes kampionatit, Champions-it dhe “EFL Cup”. Pep Guardiola është i kënaqur me fitoren dhe pjesërisht me lojën. Pjesa e parë nuk ishte e mirë sipas trajnerit spanjoll, ndërsa e dyta më ndryshe, më pozitive.
Guardiola ndalet dhe te Rahem Sterling, i cili filloi të tallej me kundërshtarët në minutat e fundit të ndeshjes, duke sjellë lumturinë e tifozëve dhe acarimin e trajnerit të tij dhe Huan Matës së Junajtid.
“Pjesa e parë nuk ishte aq e mirë, sepse luajtëm sikur: ‘nuk dua të humbas topin’, por pa qëllimin për të sulmuar ose për të bërë diçka. Ndjej një ekip nën presion, kur shoh lojtarët e mi. Ata donin të bënin mirë në derbi dhe kjo është normale. Pavarësisht kësaj, ne ishim të qëndrueshëm, shënuam një gol, 15 minutat e para ishin shumë të mira, ndërsa më pas nuk bëmë mirë presingun. Në pjesën e dytë e nisëm mirë, shumë mirë. Sterling? Ai bëri disa lëvizje, që duhet t’i shmangnim. Rahem është i ri dhe do të mësojë“, përfundon trajneri spanjoll i “Qytetarëve”.