E shtunë, ora 21:00 në Shqipëri, ora 17:00 në Buenos Aires. Atje, në Argjentinën e largët, do të luhet një ndeshje futbolli që është shumë më tepër se 90 minuta futboll, është gjithçka, “jetë a vdekje”, krenari, lavdi e përjetshme, e drejta për të vendosur flamurin e mbretit të qytetit, Argjentinës dhe Amerikës së Jugut.
Në Estadio Alberto José Armando, që gjithkush e njeh me emrin Bombonera, do të luhet Boka Zhuniors-River Plejt, 10 kilometra i ndajnë, shumë pak në letër, por një hendek gjigant mes “Milionerëve” të Riverit dhe “klasës punëtore” të Bokas.
“Mbani frymën njerëz”, batuta e famshme e Dritan Shakohoxhës, kurrë më parë nuk ka pasur kuptim sa në këtë Superclasico, në një sfidë për histori. Edhe orari i dy finaleve, sepse kthimi do të luhet më 24 nëntor në Monumental, është vendosur aq herët vetëm e vetëm që gjithë Europa të ketë mundësi të ngulet para ekranit. Meqë ra fjala, në Shqipëri e transmeton Supersport dhe kjo është vërtet dhuratë speciale, sepse jemi ngopur me futboll europian!
Paralel me Boka-River do të luhen Xhenoa-Napoli apo Zhirona-Leganes. Jo rastësisht janë dy ndeshje kaq pa rëndësi, sepse edhe El Clasico do të humbte vlerë në një natë të tillë. Jo rastësisht, nëse në Spanjë Real-Barça quhet El Clasico, Boka-River shkon më tej, e quajnë Superclasico. Federata Argjentinase ka publikuar një video-promo, që është si një film ku përmblidhet gjithë kuptimi i kësaj sfide, që ndoshta ne në Europë nuk e konceptojmë dhe nuk e kuptojmë dot plotësisht.
#SuperFinalDeAmérica A los argentinos nos pasan cosas inexplicables. Disfrutemos de esta Superfinal de América. pic.twitter.com/yWnhKisabx
— AFA (@afa) November 8, 2018
Është hera e parë në histori që dy gjigantët e Amerikës së Jugut përballen në finalen e madhe në Libertadores, hera e parë që vëllezërit e kthyer në armiq matin forcat dhe lajnë hesapet, një herë e mirë. Nuk ka kthim pas, nuk ka hakmarrje, nuk mjaftojnë as 20 tituj kampionë rresht, nëse humbet këtë finale.
Do të jenë rreth 49.000 tifozë në Bombonera, por vetëm sepse aq vende merr stadiumi, sepse nuk do mjaftonin as 149 mijë vende.
Boka është kampione në fuqi në Argjentinë, por River fitoi bujshëm në vizitën e fundit në Bombonera. Boka ka një sulm spektakolar, aq sa mban në stol një si Karlos Tevez dhe ka shpenzuar pa fund këtë vit, por River ka një mbrojtje të hekurt dhe një trajner të talentuar si Gajardo, i cili nuk do të jetë fare në stadium, sepse është i pezulluar.
Përballja e fundit në Libertadores, në 1/8-at në vitin 2015, ishte një kaos total, me ndeshjen e kthimit në Bombonera që u ndërpre, sepse lojtarët e Riverit u sulmuan me gaz lotsjellës në tunel dhe më pas fitorja në tavolinë për Riverin ishte e paevitueshme. “Mbani frymën njerëz”, ky nuk është Clasico, është Superclasico!