Në kontratat mes klubeve dhe futbollistëve ka klauzola nga më të ndryshmet dhe më të veçantat. Një të tillë kanë dhe lojtarët e PSG. Një nen në kontratë e përcakton saktë: para fillimit të çdo ndeshje dhe në fundin e saj, lojtarët duhet të shkojnë për të përshëndetur tifozët e tyre. Nejmar, Kavani, Mbape, Di Maria, Tiago Silva, të gjithë pa përjashtim. Futbolli luhet për ta dhe kjo është një gjë e drejtë.
Përveç detyrimit për ta bërë këtë gjest, ka dhe premio për një gjë të tillë. Sulmuesit Kavani i pëlqen ta bëjë një gjë të tillë, madje nuk përton të vendoset në rolin e “ultrasit”, duke tundur flamujt dhe një gjë e tillë i sjell 840 mijë euro shtesë në sezon. E njëjta shumë dhe për Di Marian, ndërsa Kilian Mbape fiton 1.2 milionë euro shtesë në sezon, nëse tregohet “korrekt” dhe përshëndetet gjithmonë me tifozërinë e PSG, shifra të zbuluara nga “Envoye Special di France 2”.
Nëse lojtarët refuzojnë ta kryejnë ritualin e përshëndetjes së tifozëve, do të humbasin premion e përcaktuar, që arrin në 375 mijë euro në muaj për Nejmar dhe 33 mijë euro në muaj për Tiago Silvën.
Klubi francez ka përcaktuar mirë dhe detyrime të tjera në kontratat e futbollistëve, të tilla si ajo e sjelljes së paqortueshme brenda dhe jashtë fushës së blertë, për të mbrojtur imazhin e klubit. Pyesni Verratin. U kap i dehur në makinë dhe kubi e dënoi me 40 mijë euro gjobë. Këto para, PSG i dërgon në fondacionin e klubit për bamirësi, por dhe në luftën kundër çdo forme diskriminimi dhe racizmi.