Ndërhyrjet e presidentëve, “presioni” i legjendave dhe çështja Kale, rrëfimi unik i Ilir Dajës

Në futbollin shqiptar është kthyer në diçka të zakonshme: shpesh presidentët e skuadrave bëjnë formacionin, duke kaluar në plan të dytë zgjedhjet e trajnerit. Situata që ndodhin rëndom, të cilat Ilir Daja i ka komentuar në emisionin “Zona Gol” në “SuperSport”. Trajneri i Flamurtarit foli edhe për ecurinë e kuqezinjve, objektivat, çështjen Kale që ende nuk mund të luajë me ekipin, por edhe mbështetjen që ka gjetur në Vlorë, nga emrat e rëndësishëm të futbollit të këtij qyteti. Daja foli gjithashtu edhe për domosdoshmërinë e evidentimit të talentëve vlonjatë, të cilët për vite i kanë munguar skuadrës dhe futbollit shqiptar.

“Korça apo Vlora? Do ti zgjidhja të dyja bashkë. Për pushimet dimërore, por edhe për faktin se bregdeti është pranë malit është Vlora. Korça ka specifikat e saj të veçanta dhe janë të dy qytete të cilat i preferoj. A ndikoi qyteti në zgjedhje? Kur zgjedhjeve u shtohet bukuria e qytetit, puna bëhet edhe më e këndshme. Bukuria e Vlorës është një bonus, për një qytet ku mund të kalosh bukur pas punës”.

“Sa i kënaqur jam nga renditja? Ecuria është e mirë, sepse për momentin ndodhemi një pikë larg Kupave të Europës. E kemi nisur punën më vonë, se të gjitha ekipet e tjera, ku një pjesë ishte përfundimi i kontratës time me Skënderbeun. Nuk u realizua plani “A”, ku kishim disa lojtarë që donim ti afronim dhe vazhduam me planin “B” me lojtarë nga kontingjenti i vjetshëm. Kërkuam që grupi të forcohej me lojtarë me eksoperiencë, nga Alla për të vazhduar me Torasën apo Kale, që nëse vjen do të na duket si një blerje, edhe pse në fillim e llogaritëm si lojtarin tonë”.

“Puna e trajnerit duket prej fillimit të kampionatit. Kemi patur luhatje në lojë, edhe pse pikët nuk kanë munguar. Më pas menduam të rrisnim performancën. Tre humbjet e pësuara, për mua si trajner janë shumë në një edicion dhe aq më tepër brenda një faze. Por, u rikthyem, duke rikuperuar në pikë dhe në lojë në këto javët e fundit. Kjo na jep shanse dhe kurajë, që të vazhdojmë në këto nivele, sepse aty ku prodhohet lojë, rezultati nuk mungon”.

“Brenda një klubi funksionojnë strukturat. Edhe te Skënderbeu, pavarësisht se presidenti Takaj ka qenë i lidhur me futbollin, ai nuk ka ndërhyrë në aspektin teknik. Këtë gjë unë e kam patur ekskluzivitet. Patjetër që jepte ndonjë sugjerim, ashtu si Idrizi, i cili e pranon se nuk është i kësaj fushe. Në krahun tjetër, Idrizi është shumë aktiv, duke qenë i pranishëm pranë ekipit, me mbështetje morale dhe financiare gjatë gjithë kohës kur ndodhet në Shqipëri”.

“Ajo që na ka penalizuar është fakti se Alla, Torasa apo Alvesh, kanë patur periudha me ndërprerje të aktivizimit. Alla u rikthye pas dy muajsh, Torasa u dëmtua më pak, ndërsa Alvesh po përmirëson gjendjen fizike. Duke shtuar eksperiencën e emrave si Pollozhani, Veliu apo Bushiç, ajo që është pozitive te Flamurtari është se në javët e para janë aktivizuar lojtarë të rinj, si Useini, Deliaj apo 17-vjeçari Rrapaj, që luajti ndaj Partizanit dhe Kamzës. Ka një ndërthurje brezash, duke bërë që të rinjtë të rriten me ndihmën e eksperiecën e lojtarëve më të vjetër. Lojtarët janë maksimalisht të impenjuar, për të shkuar aty ku qyteti ka dëshirë. Përveç rezultateve në Vlorë janë mësuar që të kenë edhe spektaklin dhe duam që objektivat ti arrijmë drejt kësaj rruge”.

“Në këtë periudhë te Flamurtari, kam vënë re se tifozët vlonjatë janë shumë të ndjeshëm ndaj performancës dhe rezultateve të ekipit. Ashtu siç afrohen kur skuadra ka rezultate, ashtu edhe janë të ndjeshëm kur rezultatet mungojnë. Përsa i takon figurave të Flamurtarit në vitet 80-90, i kam patur në mbështetje. Gjatë gjithë kohës, kur ekipi nuk ka prodhuar atë që duhet, na kanë mbështetur se rezultatet do të vijnë. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme në aspektin psikologjik për mua si trajner”.

“Pengje për më tepër pikë? Jo më larg se këtë të diel, biseduam me presidentin dhe drejtorin e klubit, insistuam si mund ta zgjidhim çështjen Kale. Patjetër që nëse do të kishim edhe alternativa të tjera me cilësi, pavarësisht arritjes së Europës, ne kishim si objektiv edhe afrimin e lojtarëve nga Akademia e Vlorës, sepse Flamurtarit nuk i shkon të mos përfaqësohet nga talentët e qytetit. Vlora dhe Shkodra kanë qenë shkollë më vete në futbollin shqiptar. Me disa elementë të tjerë cilësorë, ndoshta mund të kishim bërë edhe më mirë se tani”.

“Rivalë për titullin? Nuk mund ta ndryshojmë objektivin, duke thënë një javë jemi për titull dhe më pas të krijojmë një mini-krizë. Fillimisht duhet të përmirësojmë manovrën dhe më pas duhet të japim maksimumin në çdo ndeshje, që në fund të jemi brenda objektivave që kemi vendosur si skuadër dhe si klub. Duhet të respektojmë fillimisht fanellën me traditë që përfaqësojmë, ashtu siç e ka thënë edhe presidenti dhe më pas të realizojmë edhe pjesëmarrjen në kupat e Europës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *