PSG-Napoli është një nga ndeshjet më të bukura të kësaj jave në Champions. Përballja francezo-italiane luhet të mërkurën në mbrëmje, ndërsa djemtë e Ançelotit janë gati për këtë sfidë. Insinje është rikuperuar dhe ky është një lajm i mirë. Mbi dy mijë tifozë do të mbështesin Napolin në kryeqytetin francez, ndërsa Karlo Ançeloti do të rikthehet në stadiumin ku kaloi dy sezone.
Trajneri i Napolit ndjen kënaqësi për rritjen e PSG, por të mërkurën do të kërkojë fitoren. Napoli i tij po rritet dhe kundër Liverpulit e meritoi fitoren. Sulmi i francezëve është i tmerrshëm, por nuk ishte më pak dhe ai i ekipit të Klopit, që nuk u lejua të bënte një gjuajtje në portë nga mbrojtësit e Napolit. Nesër është ndeshje tjetër, ndërsa Ançeloti ka folur për “France Football”, ku komenton ekipin e tij, stilin e tij të punës dhe kalimin e Kristiano Ronaldos në Serie A.
NAPOLI – “Napoli i sotëm është ndryshe. Nuk kemi një Maradona në ekip, por kemi ndërtuar realisht një ekip të nivelit të lartë, me shumë lojtarë të rinj në përbërje. Ka vite që Napoli luan një futboll të bukur, kështu që cilësia nuk na mungon. Unë do përpiqem të sjell eksperiencën time në këtë ekip, t’i ndihmoj djemtë të rrisin personalitetin e tyre dhe kurajën në momentet kur nuk luajmë mirë.”
ANÇELOTIZMI – “Nuk ka një stil të qartë të Ançelotit, sepse unë e përgatis ndeshjen në bazë të karakteristikave të lojtarëve të mi. Disa trajnerë e nisin ndeshjen me një ide të përcaktuar dhe përpiqen t’i vënë lojtarët në funksion të skemave të tyre. Unë shoh gjendjen e lojtarëve të mi dhe përshtas stilin tim ndaj tyre.”
PSG – “Nuk mendoj se ka patur një qëllim për të futur kulturën italiane në këtë ekip. Mbi të gjitha, ishte dëshira për të sjellë një kulturë të nivelit të lartë, profesionalizëm dhe cilësi. Është një gjë e këndshme të shohësh rritjen e klubit. PSG është një nga ekipet më të mira në Europë dhe mund të fitojë Champions-in, kjo është e sigurt.”
CR7 – “Ardhja e Kristiano Ronaldos në Serie A është një sinjal i shkëlqyer për imazhin e futbollit italian. Për një kohë të gjatë ka qenë kampionati i yjeve botërorë: Maradona, Platini, Ziko, Zidan, Ronaldo, Shevçenko, Kaka, Ibrahimoviç… Ardhja e portugezit ndihmon në prestigjin e futbollit italian. Po flasim për një fenomen dhe një profesionist ekzemplar, i cili ka vetëm një faj të vetëm: faktin që shkoi te Juventusi (qesh).”