Naingolan: Kam vuajtur i ri, “San Siro” unik. Idhulli im? Një ish-interist

Numërimi mbrapsht ka mbaruar dhe Milano është gati për derbin e qytetit. Inter dhe Milan priten të zhvillojnë në mbrëmje një ndeshje të bukur dhe plot emocione. Një sfidë unike për lojtarët dhe shumë e rëndësishme për tifozët. Raxha Naingolan ka provuar derbin e Romës, një ndër ndeshjet më të forta në botë, ndërsa sonte do të shijojë dhe atë të Milanos.

Mesfushori, i cili u transferua gjatë verës nga Roma tek Inter, tregon disa detaje nga e kaluara, golin më të bukur që ka shënuar dhe zbulon lojtarin që i pëlqente ta shihte duke luajtur.

E kaluara ime ka qenë e vështirë. Jam larguar nga Belgjika në moshën 16-vjeçare dhe dua që fëmijët e mi të ndihen mirë. Goli? Kam shënuar shumë gola të rëndësishëm dhe të bukur. Të parin e shënova kundër Trevisos. Isha pjesë e Piaçencës dhe shënova me një goditje nga larg zonës. Një tjetër që nuk e harroj është goli që i shënova Sampdorias, kur isha pjesë e Kaljarit. Të rinjve u them gjithmonë se duhet të luajnë pa menduar shumë dhe pa presion, sepse kjo e bën diferencën.”

30-vjeçari po ndihet mirë tek Inter, stadiumi dhe tifozët i pëlqejnë, ndërsa zbulon dhe një nga idhujt e tij. “Për mua është shumë e rëndësishme të luaj këtu. San Siro është një stadium shumë i bukur dhe emocionues. I ndjen tifozët si në pak stadiume të Europës. Idhulli im? Nuk kam patur kurrë idhuj në futboll. Më kanë pëlqyer gjithmonë lojtarët me kualitet, si Ronaldo Fenomeni. E ndiqja, sepse ai arrinte të shpikte diçka nga asgjëja“, përfundon Raxha Naingolan.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *