Laçi luan nesër me Teutën në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërkohë trajneri Artan Mërgjyshi ka marrë lajme të mira nga infermieria. Fillimisht u rikthye mbrojtësi Sebastian Toro, i cili gjatë javës kaloi një helmim.
Probleme ka pasur edhe për portierin Gentian Selmani, i cili ishte grumbulluar me kombëtaren Shpresa dhe pati një dëmtim. Gardiani fluturoi menjëherë në Torino dhe në J Medical për disa ditë ka kryer terapi intensive.
Ditën e djeshme ai është kthyer në Shqipëri dhe është bashkuar me ekipin. Kapiteni do të jetë gati për lojë ndaj Teutës dhe ky është një lajm i mirë për bardhezinjtë.
Mungesa të sigurta edhe për këtë javë do të jenë mbrojtësit Denis Pjeshka dhe Jon Mersinaj, të cilët po vijojnë fazën e rikuperimit. I dyti madje kishte udhëtuar drejt Kroacisë, pasi sikurse dihet Laçi e ka marrë në huazim nga Lokomotiva e Zagrebit.