Mançini i qartë: Duhet të japim më tepër!

Italia do të zhvillojë mbrëmjen e nesërme një sfidë mjaft të rëndësishme përballë Polonisë. Përpara sfidës trajneri Roberto Mançini ka folur për mediat në lidhje me ndeshjen e nesërme. Sfida do të zhvillohet në vendin polak dhe është e vlefshme për Ligën e Kombeve, ku Italia për momentin ndodhet në vendin e fundit me 1 pikë pas dy ndeshjesh.

SKEMA PA SULMUES – “Për të fituar ndeshjen të duhen golat dhe ne duhet të shënojmë. Një skuadër normal që ka nevojë për sulmues, por mund të bëjë dhe pa të. Sarri pothuajse bëri diçka perfekte sezonin e kaluar me Napolin, teksa luante me sulmues fals. Në Xhenoa ndaj Ukrainës bëmë 60 minuta të mira.”

NDRYSHIMET
– “Ndoshta nuk do ndryshoj asgjë nga ndeshja e kaluar. Një muaj më parë lojtarët nuk ishin në kondicionin e duhur. Këtë herë kam dhe lojtarë që një muaj më parë nuk i kisha. Janë përshtatur me grupin dhe kam besim se do të bëjmë mirë.”

VERRATI – “Ai ka cilësi të mëdha dhe ne kemi nevojë shumë për Markon. Në Xhenoa bëri një ndeshje të mirë edhe pse jo në 100% e tij. Formon një dyshe të fortë me Zhorzhinjon.”

POLONIA – “Është e vërtetë që humbi në shtëpi ndeshjen e fundit, por Portugalia është skuadra më e plotësuar dhe i ka merituar fitoret. Polonia është një ekip me talent dhe ka lojtarë të mirë. Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën.”

BILANCI AKTUAL – “Personalisht mendoj se duhet të japim me tepër. Duhet pak kohë për të gjetur një grup lojtarësh që mund të bëjnë gjëra të mira dhe më pas çdo gjë për Evropian do të jetë në vijë.”

ZGJEDHJET NË FEDERATË – “Me presidencën aktuale kam marrëdhënie shumë të mira dhe kam kaluar kohë mjaft të mira. Ne duhet të përqendrohemi në fushë dhe të marrim rezultate, jo në çfarë do të ndodhë në federatë. Presidenti ka postin e tij, unë jam trajneri dhe lojtarët janë lojtarët. Gjithçka është diçka normale.”

Ndërkohë Çiro Imobile përpara disa orësh postoi në llogarinë e tij në “Instagram” një foto, ku jepeshin golat e tij të shënuar dhe sulmuesi e kishte shoqëruar me një fytyrë që vinte në dukje heshtjen. Trajneri Mançini u pyet në lidhje me këtë postim, por ishte i prerë në përgjigjen tij.

“Ruajini për veten tuaj postimet, jo për mua. Unë jam i lumtur në qoftë se vazhdon të shënojë për Lacion dhe duhet ta bëjë këtë gjë dhe për kombëtaren”, përfundoi tekniku i të kaltërve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *