Sebastian Toro vendosi të transferohej merkaton e kësaj vere në Shqipëri, pikërisht te skuadra e Laçit. Dikur ai krahasohej me Arturo Vidal, teksa në atë kohë provoi të luante dhe në kombëtaren e Kilit. Karriera e tij është e pasur me klube me histori në Kili si Kolo Kolo, apo dhe në Kolumbi, ku ka luajtur me Zhunior.
Mund të jetë i vetmi nga Kili që vjen e luan në Superiore dhe deri më tani ndihet shumë mirë me zgjedhjen e bërë. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Toro tregon për aventurën e tij me Laçin, flet për kampionatin, jetën këtu, si erdhi dhe për shumë gjëra të tjera.
INTERVISTOI: ERDI KËRÇIKU
Si po shkon aventura juaj e parë në Shqipëri te Laçi?
–Mirë falë Zotit. Po luftojmë për vendet e para dhe kjo gjë na mban të përqendruar në objektivat tona.
Si e sheh kampionatin shqiptar, krahasuar me atë kilen?
-Kampionati shqiptar me atë kilen janë të ngjashëm. Në Shqipëri ekipet janë shumë fizike dhe vrapojnë shumë. Te Laçi ne gjithashtu bëjmë futboll të tillë, por edhe luajmë shumë me topin duke kërkuar momentin e duhur për të sulmuar.
Po Shqipëria si vend si ju duket? Është siç e kishit imagjinuar?
-Para se të vija kisha investiguar disi, por nuk doja të imagjinoja shumë. Në Shqipëri gjeta qytete shumë të bukur, persona shumë të sjellshëm dhe është me të vërtetë bukur të qëndrosh këtu. Njerëzit gjithashtu të respektojnë, si dhe njerëzit e feve të ndryshme e respektojnë njëri-tjetrin në mënyrë të mrekullueshme dhe kjo gjë është fantastike.
Më përpara të krahasonin me Arturo Vidal. Çfarë ndodhi me karrierën tuaj?
-Po, është e vërtetë që më krahasonin për mënyrën se si luaja dhe se në atë kohë kisha shumë oferta nga shumë klube, por është një temë e shkuar dhe nuk kam dëshirë të flas në lidhje me të. Tani jam totalisht i fokusuar te Laçi dhe falenderoj Zotin që jam në këtë klub me njerëz kaq të sjellshëm dhe me lojtarë të mirë, ku të gjithë jemi të fokusuar për të pëmbushur objektivat tanë.
Si u bindët të vinit në Shqipëri?
-Është diçka e komplikuar, është një vend larg vendit tim, gjuha gjithashtu është mjaft e komplikuar. Janë disa mundësi që të jepen si dhuratë nga Zoti dhe bashkë më gruan vendosëm të vinim këtu. Deri në këtë moment nuk jemi gabuar dhe jam shumë i lumtur.
Si ju duket niveli i futbollit në Shqipëri? Është siç Toro e priste?
-Dihet që kur vjen të luash në Evropë, futbolli është më kërkues dhe më i fortë dhe jam ambjentuar me këtë. Këtu ka futbollistë mjaft të mirë teknikisht dhe fizikisht, si dhe potenciali është goxha i madh.
Laçi është i vetmi ekip i pamposhtur këtë sezon. Deri ku mund të shkojë kjo skuadër?
–Shpresojmë të vazhdojmë kështu dhe me ndihmën e Zotit. Ky ekip mund të japë shumë, personalisht dua të dal kampion me Laçin.
Faza e parë e kampionatit thuajse ka përfunduar. Kujt ekipi i druheni më shumë?
-Kemi respekt për të gjithë ekipet, por nuk i druhemi asnjërit. Kemi një skuadër që mund të fitojmë çdo ndeshje.
Lojtari që ju ka impresionuar më shumë?
-Flas për shokët e mi të skuadrës. Secili nga ata ka virtytet e tij, duke filluar nga më i riu e duke përfunduar tek ai më me shumë eksperiencë. Çdo cilësi e çdo lojtari e bën ekipin të jetë akoma dhe më i mirë.