Situatë e vështirë te Bajerni i Mynihut, që ka regjistruar ndeshjen e tretë pa fitore në kampionat dhe të katërtën duke përfshirë dhe barazimin me Ajaksin në Champions. Humbja e thellë me tris golash në shtëpi përballë Gladbahut ka rritur tensionin në kampin bavarez, ndërsa trajneri Niko Kovaç rrezikon postin e tij.
Për situatën e vështirë ka folur dhe Manuel Nojer, i cili nuk kursehet dhe “sulmon” shokët e skuadrës. Ekipi po has vështirësi në gjetjen e golit, ndërsa në ndeshjen e fundit Bajerni “harroi” të krijonte raste të pastra goli. Bajern renditet në vendin e gjashtë për momentin në Bundesligë dhe ndodhet katër pikë larg Dortmundit kryesues.
“E nisëm mirë ndeshjen, por pësuam gol dhe nuk e gjetëm rrugën e duhur. Nuk krijuam raste të pastra për gol, pësuam dhe golin e dytë. Mund t’iu thuash të gjithë lojtarëve çfarë të duash, të cilët janë të motivuar dhe kanë qëndrimin e duhur në fushë, por goli i dytë ishte si një grusht në fytyrë dhe pati ndikim të madh te ne.”
“Dëshironim të luanim si në fillim, kemi patur shanset tona në ndeshjet e fundit, por nuk kemi arritur t’i konkretizojmë. Kundër Gladbahut nuk arritëm të krijojmë raste dhe kjo nuk është e mjaftueshme. Ky nuk është Bajerni i Mynihut”, përfundon gardiani i portës së bavarezëve.