Kukësi po përgatitet për një nga ndeshjet më të forta të kampionatit. Djemtë e Cungut do të sfidojnë Skënderbeun në Korçë dhe për të fituar titullin duhet të mposhtësh kampionët në fuqi. Një gjë të tillë e di mirë Donjet Shkodra, i cili ka folur në konferencën për shtyp të ndeshjes.
29-vjeçari vlerëson kundërshtarin, me të cilin është aktivizuar më parë. Lojtari nga Prishtina ka lënë pas krahëve problemet me klubin, ndërkohë që Cungu po e aktivizon në rolin e qendërmesfushorit . Shkodra nuk e ka problem përshtatjen me rolin e ri, ndërkohë që beson te vazhdimësia e mirë e ekipit.
KUNDËRSHTARI – “Skënderbeu karikon çdo ekip, pasi këto vitet e fundit ka treguar se ka qenë gjithmonë pretendent dhe kampion. Ata janë pretendentë, pavarësisht se kanë humbur disa lojtarë. Ata kanë humbur disa lojtarë, por nuk është e lehtë për t’i mposhtur.”
ROLI I RI – “Tani kam një moshë që kam luajtur goxha futboll dhe nuk i kam problem të zbatoj detyrat ku më jep trajneri. Me eksperiencën që kam mund t’i zbatoj detyrat taktike.”
MARRËDHËNIA ME KLUBIN – “Në çdo klub të botës ka tension dhe marrëdhënie të tilla. Jam i kënaqur që janë shuar dhe janë rregulluar. Ndihem mirë dhe shpresoj që ndeshje pas ndeshjeje të rritem në aspektin fizik.”
RIKTHIMI NË KORÇË – “Kam disa miq atje, është bukur të kthehem dhe të luaj kundër tyre. Tani ne kemi synimet tona dhe shkojmë për fitore në Korçë.”
OBJEKTIVI – “Jemi një grup i mirë dhe po punojmë me seriozitet. Mendoj se nëse punojmë fort, mund të vazhdojmë me këtë ecuri. Barazimi apo fitore? Ne do të mundohemi gjithmonë për fitore dhe jo për barazim, por varet se si shkon dhe loja.”