Reali Madridit barazoi fundjavën që lamë pas me Atletikon e Madridit, 0-0 në derbi. Mbrëmjen e nesërme Reali do të ketë përballë CSKA-në e Moskës në transfertë, sfidë e vlefshme për “UEFA Champions League”. Pikërisht lidhur me këtë sfidë, si dhe çështje të tjera të skuadrës ka folur trajneri i madrilenëve, Julen Lopetegui.
POST DERBI – “Skenari është i njëjtë. Vetëm kundërshtari ndryshon, ne duhet të jemi të njëjtë dhe të japim më të mirën tonë. CSKA është një ekip shumë i mirë, me lojtarë të rëndësishëm. Nuk duhet të marrim asgjë lehtë”.
Lopetegui gjithashtu u ngacmua pak dhe për rikthimin e tij në Rusi, pas botërorit. Kujtojmë vetëm pak ditë para se të niste Kupa e Botës, trajneri spanjoll u shkarkua nga federata spanjolle. Tekniku u pyet në rast se e ka menduar rastin në fjalë.
“Nuk e kam menduar fare. Tani unë vij në Rusi me Realin e Madridit dhe luaj kundër një skuadre të madhe ruse, që ka bërë mirë në Champions. Asgjë më shumë. Jemi të fokusuar te ndeshja e nesërme”.
GJENDJA E EKIPIT – “Gjendja e ekipit është fantastike,me shumë energji. Është një ndeshje e Ligës së Kampionëve. Çdo gjë është e hapur, ne luajmë kundër një ekipi të madh në fushën e tyre. Kur luhet muzika e Champions, motivimi është maksimal. Ne jemi të sigurt se me kapacitetin tonë do të jemi në gjendje të arrijmë qëllimin, pra fitimin e ndeshjes”.
ODRIOZOLA DHE VINICIUS – “Tek Odriozola besimi është maksimal. Kur i takon, do të luajë. Unë kam besim maksimal tek ai. Vinicius është një lojtar në progres dhe ka një të ardhme të ndritur. Kur do të mendojmë se mund të na nevojitet do ta përdorim, si çdo lojtar”.
RAMOS NUK GRUMBULLOHET – “Serxhio nuk ka udhëtuar me ekipin sepse është lojtari që ka më shumë minuta se të gjithë. Mendoj se ka nevojë për një pushim. Unë i marr vendimet, është një vendim i imi”, përfundoi tekniku spanjoll.