Estradë me basketbollin shqiptar, 2 ekipe me emrin TIRANA!

Në Shqipëri çfarë nuk sheh e dëgjon, por kur mendon se i ke parë të gjitha, ndodhin edhe idiotësi si ajo e zyrtarizuar sot nga Federata Shqiptare e Basketbollit.

Na qenka themeluar një ekip, nuk dihet kur e si, por është emërtuar Ekipi i Shoqatës Tirana Basketboll Femra. Domethënë, ekipi legjendar Tirana do të ketë një klon, por me ndonjë shtojcë sa për sy e faqe!

Së pari, nuk ekziston në asnjë vend e në asnjë sport që një klub të marrë emrin e një ekipi tjetër. Si mund të regjistrohet në futboll FC Milan përveç AC Milan, apo VL Flamurtari, përkrah FC Flamurtari? Pra, absurdi i parë është pranimi i një klubi me emër identik me një tjetër dhe këtu federata është fajtore.

Së dyti, dhe këtu sërish situata është qesharake, kjo Tirana e re fringo shkon direkt e në Superiore, domethënë në elitën e basketbollit të femrave. E pse? Kush ia jep të drejtën të djegë etapat dhe të mos luajë fare në Kategorinë e Dytë? Federata Shqiptare nuk merr parasysh asnjë rregullore e asnjë parim, qoftë edhe etik, duke deklaruar se “duhej të luhej një Tur Paraeliminator, por u tërhoq Skënderbeu dhe në këtë mënyrë Ekipi i Shoqatës Tirana Basketboll Femra i bashkohet automatikisht Grupit A”.

Automatikisht, a thua se ekipe si Apolonia, Partizani, Kamza e të tjera si këto janë “të njerkës”, që luajnë në kategorinë e dytë, që në fakt sipas FSHB qenka grupi B i Kategorisë 1!

Dhe pastaj thonë “pse nuk zhvillohen sportet në Shqipëri?”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *