Milani largon krizën dhe me fitoren e thellë në Sasuolo rikthen qetësinë, pas disa ditëve ku është folur në mënyrë konstante për largim të trajnerit Xhenaro Gatuzo dhe kontakt me Antonio Konten.
Katër gola ndaj Sasuolos, skuadër e bukur, ndërkohë që Gatuzo nuk kishte asnjë sulmues në dispozicion, një tjetër çudi e një Milani që deri tani ka bërë gabime pa fund dhe dukej në kaos.
Trajneri kuqezi pas ndeshjes ishte natyrisht i kënaqur: “Kemi pasur luhatje, por në çdo ndeshje kemi luajtur mirë. Edhe në Empoli mund të fitonim thellë, por portieri Terraçano bëri pritje vendimtare. Ne duhet të gjejmë vazhdimësi në lojë e rezultate, pastaj ka raste kur kundërshtari luan ndeshje të mëdha”.
Gjithçka perfekte? Jo, edhe Gatuzo e di mirë se mbrojtja vuan shumë: “Duhet të përmirësohemi në mbrojtje, por nuk është vetëm faji i mbrojtësve, sepse mesfushorët duhet të ushtrojnë presing me më shumë vendosmëri. Nuk kemi shumë kohë, por e dimë ku duhet të përmirësohemi. Nuk ka vend për festë, sepse kur vesh fanellën e Milanit je nën presion konstant, nuk mjafton kurrë një fitore”.
Suso fenomenal, por Gatuzo i jep një këshillë: “Do të jetë i kompletuar kur të njihet përmendësh me Higuain. Dua shumë pasime për gol prej tij, jo vetëm gola. Në këtë mënyrë, do të bëhej si Insinje për Napolin”.
Sulmi i gjymtuar dhe emri Andre Silva që bën tifozët të qajnë, por Gatuzo shpjegon: “Largimin e kërkoi vetë Andre Silva, kur erdhi Higuain. Nuk mbahet lojtari me zor, edhe pse doja që të qëndronte, sepse e dija që është lojtar i mirë”.