Kurbinasit e pathyeshëm, Laçi nuk humbet që nga prilli!

Të gjithë e kemi dëgjuar atë kompelimentin “Je e bukur si një gol në minutën e 90-të”. Normalisht, që dhe tifozët e Laçit ditën e djeshme kanë gëzuar pa masë. kur Shtubina në sekondat e fundit të ndeshjes, ktheu në gol atë harkim Hadrojt, që vendosi dhe fatin e takimit.

Një gol me shumë peshë, që i sjell një sukses të rëndësishëm ekipit të Artan Mërgjyshit. Pas javës së gjashtë, kur kishin përfunduar dhe takimet e fundit, konkluzioni ishte vetëm një: Laçi është skuadra e vetme që këtë edicion nuk ka pësuar humbje. Kurbinasit ndodhen në kuotën e 10 pikëve, po aq sa dhe Flamurtari, një më pak se Skënderbeu dhe -3 nga Kukësi e Partizani kryesues. Një nisje mjaft e mirë dhe që i konfirmon si një skuadër, që pretendon gjysmën e sipërme të klasifikimit.

Interesant fakti se ecuria pa humbje e këtij edicioni është vazhdimësi e javëve të fundit të një edicioni më parë. Humbja e fundit e bardhezinjve daton më 29 prill, pra më saktë, plot 5 muaj e një ditë nga sot. Asokohe Laçi i Mezanit mundej në Shkodër nga një gol i Sukaj, me 11-metërsh që në minutën e 7-të.

Sigurisht që një ecuri mbresëlënëse, pasi duhet theksuar se deri më tani kurbinasit kanë sfiduar Skënderbeun, Partizanin dhe Kukësin, ekipe këto pretendente për titull.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *