Xhenaro Gatuzo ka folur në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Atalantën, ku ndalet te fitorja në Europa League, përballja me ekipin e Gasperinit, forma e ekipit dhe lojtarë të ndryshëm të kuqezinjve.
EUROPA LEAGUE – “Përpara ndeshjes me Dudelanzh isha i shqetësuar, sepse nuk janë kualifikuar në fazën e grupeve të Europa League rastësisht. Nuk është e thjeshtë të ndërrosh nëntë lojtarë, por rëndësi kishte fitorja dhe fakti që u dhamë shansin disa lojtarëve për të pushuar.”
ATALANTA – “Nuk është rastësi që nuk fitojmë me Atalantën prej katër vitesh. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe dhe t’i vendosim në vështirësi. Kishte kohë që Atalanta nuk humbiste tre ndeshje rresht dhe do të kërkojnë të reagojnë kundër nesh. Nuk i zë besë Atalantës dhe Gasperinit. Mund të ndryshojnë pesë lojtarë, por ruajnë të njëjtat karakteristika. Janë një skuadër shumë e vështirë, që nuk të lënë momente të marrësh frymë.”
NDRYSHIMET – “Jam i bindur që këtë vit kemi shumë lojtarë, të cilët mund të luajnë titullarë dhe më vendosin në vështirësi të mëdha.”
KALDARA – “Kaldara bëri një ndeshje shumë të mirë. Ndoshta dhe unë jam shumë kërkues, kërkoj shumë, por e rëndësishme është të luajë me qetësi. Ai ka një kulturë pune dhe është një lojtar i cili mund të na japë një dorë të rëndësishme.”
HIGUAIN – “Në këtë moment është e drejtë që të na japë një dorë, por preferoj ta shoh afër mbrojtësve kundërshtarë dhe të punojë në 16-të metrat e fundit. Duhet të shfrytëzojmë më mirë karakteristikat e tij dhe të çojmë kokën, përpara se t’i pasojmë. Kastihejo ngriti kokën dhe i shërbeu. Higuain është më i forti në botë për momentin sipas meje. Ka shënuar gjithmonë gola, është një kampion dhe duhet ta vëmë në pozita goli.”
ROTACIONI – “Është e vështirë të krijosh dy skuadra, një për kampionat dhe një për Europë. Po përdorim një metodë që e përdorte Ançeloti. Duam të bëjmë mirë në 3-4 ndeshjet e para dhe pastaj do t’i lëmë disa lojtarë pushim. Vitin e kaluar luanin të njëjtët lojtarë dhe në fund të sezonit ishim të lodhur.”
BAKAJOKO – “Secili prej nesh i sheh ndeshjet sipas këndvështrimit të tij. Tifozët e tastierës ndoshta prisnin të fitonim 7-0, por Bakajoko zhvilloi një ndeshje të mirë. Pres nga lojtari më shumë avancime, siç bëri Bertolaçi në golin e Higuain. Jam i kënaqur me paraqitjen e tij, në nivelin teknik më pëlqeu shumë, është një lojtar që nuk duket shumë teknik, por arrin të bëjë gjëra të mira.”
SUSO – “Ka një goditje të rëndësishme dhe pres që të gjuajë në portë. Pres më shumë sulme nga Suso, të mos luajë shumë me topin, por të sulmojë dhe të futet në zonë. Shpresoj që të gjejë golin, sepse ka nevojë dhe është i pari që vuan, por jam i kënaqur. Më Romën goditi portën, ndërsa me Kaljarin i shkoi keq. Duhet të vazhdojë të luajë, ashtu siç po bën.”
KUTRONE – “Ai dëshiron të rikthehet, por nuk më pëlqen të shoh lojtarë që provojnë ditë pas dite të rikthehen, futen në fushë dhe pas 10 minutash detyrohen të dalin, sepse ndjejnë dhimbje. Nuk është korrekte dhe nevojitet koha e duhur për t’u rikthyer. Sot do të përpiqemi përsëri të kënaqim dëshirën e tij.”
PORTIERËT – “Kemi dy portierë të mëdhenj në dispozicion. Reina bëri mirë në Europë, por jam i lumtur me mënyrën si po luan Donaruma dhe si po e interpreton rolin e tij.”
SKEMA 4-2-3-1 – “Nevojitet kohë për të luajtur më ketë skemë. Gjatë ndeshjeve të kombëtareve kemi pak lojtarë në dispozicion dhe nuk mjaftojnë dy seanca stërvitore. Kemi lojtarë të cilët mund të luajnë me disa skema.”