Luka Modriç dhe Kroacia e tij zhvilluan një Botëror fantastik, duke i kaluar parashikimet. Djemtë e Daliç dështuan vetëm në provën e fundit, duke humbur finalen e madhe përballë Francës, por ata ishin heronjtë e vërtetë të verës, që sapo lamë pas. Kapiteni Modriç ishte lideri i grupit dhe i tejkaloi limitet e tij.
Motor në mesfushë dhe në çdo cep të fushës. Të gjitha topat e kroateve përpunoheshin nga mesfushori i Realit, i cili u shpall lojtari më i mirë i Botërorit të Rusisë. Shumë punë, sakrificë dhe energji, për të mos harruar tre ndeshjet me shtesa të kroatëve, të cilët luajtën më shumë minuta se çdo skuadër tjetër në Rusi. Diçka e tillë ka lënë pasojat e saj dhe 32-vjeçari ka folur për ketë temë pas fitores kundër Romës në Champions.
“Botërori më rraskapiti fizikisht dhe mendërisht. Tani ndihem më mirë dhe po e marr veten nga dita në ditë. Topi i Artë? Nuk është një obsesion për mua. Nëse do e fitoja, do të isha shumë i lumtur, por nëse nuk do e fitoja, jeta vazhdon gjithsesi”, përfundon Luka Modriç, i cili fitoi dhe çmimin e lojtarit më të mirë të vitit të FIFA-s.