25 vite më parë, Juventus luante në transfertë me Foxhian dhe gjatë pjesë së dytë, trajneri i bardhezinjve, Xhovani Trapatoni, hidhte sytë nga pankina dhe vendoste të aktivizonte një lojtar të ri. “Djalosh, futu në fushë. Mos harro: mbaje topin dhe merr ndonjë faull”.
Ishte 12 shtatori i vitit 1993 dhe Aleksandro Del Piero luante ndeshjen e parë nga 705 ndeshje në total me Juventusin. Më pas historia dihet, por Del Piero nuk e harron atë moment.
“Ishte një pasdite e bukur, por akoma më e bukur ishte java tjetër. U futa përballë Rexhianës dhe shënova gol.” Të parin nga 289 golat me bluzën bardhezi mbi supe. Mbas tre vitesh Juventusi i Lipit fitonte Championsin përballë Ajaksit.
Ishte 22 maji i vitit 1996 dhe që nga ajo kohë, pavarësisht se kanë zhvilluar dhe pesë finale të tjera, juventinët nuk kanë arritur të fitojnë më Kupën me veshë të mëdhenj. Del Piero tregon 3 elementët thelbësorë për fitimin e Champions, që është objektivi kryesor i Juventusit të sivjetshëm.
“Një skuadër e fortë dhe e bashkuar, shumë besim dhe ndërgjegjësim në aftësitë e tua dhe të jesh në kushtet më të mira fizike dhe psikologjike në momentet më të rëndësishme. Nuk dua të përmend fatin, që ka vlerën e vet, por nuk bën pjesë te mentaliteti fitues.
Kandidatët kryesorë? I pari vjen Reali i Madridit, edhe pse ka humbur Ronaldon. Ata kanë fituar tre Champions rresht dhe mbeten favoritët kryesorë. Pastaj renditen: Juventus, Mançester Siti dhe PSG, ndërsa në rreshtin e tretë të favoritëve janë: Barcelona, Bajern Mynih dhe Liverpul.
Krahasimi mes Juves së tij dhe ekipit momental? Nuk mund të bëj dot krahasime, por Juventus ka një nga ekipet më të mira në letër. Nuk është i vetmi, por meriton të jetë shumë më lart. Ekipi nuk ka arritur ende nivelin e personalitetit dhe ndërgjeshmërisë së Juventusit të Lipit, kur arritëm katër finale europiane rresht.
Por, mbetet keqardhja që fituam vetëm njërën prej tyre. Ronaldo? Ai është si Lebron Xhejms. Në fillim nuk e besova që do të vinte te Juventus. Sinqerisht, mendova që ishte një mashtrim”, përfundon legjenda e bardhezinjve, Aleksandro Del Piero.