Marko Tardeli ka fituar Botërorin e vitit 1982 me Italinë dhe mbahet mend për festimin e famshëm mbas shënimit të golit në finalen e fituar me Gjermaninë. Ish-futbollisti i Juventusit dhe ish-trajneri i Interit ka bërë një gafë të dyfishtë me Zhorzhinjon, i cili u transferua këtë verë nga Napoli tek ekipi i Çelsit.
Mesfushori i Sarrit shënoi golin e Italisë në barazimin me Poloninë, ndeshje në kuadër të Nations League, ndërsa mbas ndeshjes po jepte prononcimin e tij për televizionin “Rai”, aty ku Tardeli punon si opinionist.
Tardeli në fillim e ka pyetur Zhorzhinjon se pse nuk ka arritur të luajë mirë me Napolin, por as me Mançesterin. Mbasi lojtari u përgjigj i nervozuar: “Nuk kam luajtur kurrë në Mançester”, Tardeli kërkoi falje menjëherë, por duke ngatërruar emrin e futbollistit: “Më fal Serxhinjo”.