Vllaznia do të garojë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë, ndërkohë që janë disa lojtarët që janë larguar dhe të tjerë duan ta vijojnë karrierën gjetkë. Të mbash Erald Çinarin në Kategorinë e parë është e vështirë dhe në njëfarë mënyrë largimi i tij ishte një mision i pamundur.
Sulmuesi anësor u shit te Partizani, por as të rinjtë që ende nuk kanë dalë në skenën e madhe nuk po i mbajnë dot në Shkodër. Armenis Kukaj, pjesë e ekipit të dytë, u largua drejt Luftëtarit, ndërkohë që Enes Isufi, një element me perspektivë, zgjodhi Skënderbeun.
Vllaznia donte qendërmbrojtës, por dy të rinjtë e mësipërm as në Kategorinë e Parë nuk u mbajtën dot. Veç tyre tani largimin e do edhe Arsaed Rahova, i cili vjet ishte kapiten i të rinjve dhe u shpall kampion.
Edhe sulmuesi Ildi Gruda mund të largohet, pasi ka oferta të ndryshme. Sulmuesi, autor i 15 golave me Vllazninë U19, mund të kërkojë të tregojë vlerat e tij larg Shkodrës, sikurse kanë bërë edhe të tjerë në të shkuarën.