Ronaldo është një nga disa lojtarët e mëdhenj që nuk kanë fituar Champions Ligën. Kampioni i Botës me Brazilin punon si ambasador i klubit të Realit të Madridit dhe ai komenton kandidatët për fitimin e Kupës me veshë të mëdhenj. Fenomeni flet dhe për Interin, si dhe i rikthehet dhe njëherë Botërorit të fituar në vitin 2002.
Reali – “Jam shumë i lidhur me Realin, diçka më shumë sesa me Barcelonën. Reali ka qenë i fortë përpara ardhjes së Ronaldos dhe do të jetë dhe tani që është larguar. Mbeten favoritët kryesorë për fitimin e Champions, sepse kanë fituar katër nga pesë finalet e fundit. Pa Ronaldon, do të jetë prapë një sfidë e madhe.”
Ronaldo – “Juventus është një skuadër e fortë që ka arritur dy herë në finale në vitet e fundit. Ekipi është përforcuar, por Champions nuk është i lehtë. Të marrësh Ronaldon nuk do të thotë të jesh automatikisht kampion. Nuk mund të mohohet fakti që Juventus ka kryer një goditje të madhe, të paimagjinueshme, por askush nuk mund të thotë se çfarë do të ndodhë dhe çfarë ekuilibrash do të ndryshojnë. I dërgoj urimet më të mira. Do e kuptojë që ka shkuar në një vend të bukur, që e dua shumë dhe do të shijojë një aventurë të madhe.”
Inter – “Interin e kam gjithmonë në zemër. E kam ndjekur pak në kohët e fundit dhe nuk kam folur prej kohësh me Moratin. Ekipi u rikthye në Champions dhe ky është një rezultat i madh, sepse ekipi ndodhet aty ku e meriton dhe do të përballet me më të mirët.”
Zidan – “Askush nuk ka arritur të fitojë tre Champions radhazi dhe të largohet. E njoh mirë Zizun, është një njeri i mrekullueshëm dhe një trajner i aftë. Zidan është lojtari më i fortë me të cilin jam përballur. Nuk e di nëse do të shkojë te Mançester Junajtid, por Murinjo nuk duhet kritikuar. Ai është special dhe ka fituar shumë.”
Zidan, Ronaldo, Mesi, CR7 – “Nuk mund të them kush është më i forti, sepse po flasim për epoka të ndryshme. Ja u lë në dorë tifozëve të gjykojnë këtë gjë.”
Nejmar – “Kur fiton je më i miri, ndërsa kur humbet fillon e bën gabim gjithçka. Kështu ka qenë dhe në kohën time.”
Brazili – “Vazhdojmë të prodhojmë yje, por kur vjen puna për të krijuar skuadrën, diçka nuk shkon. Duhet të mësojmë nga Europa që ka fituar katër Botërorët e fundit. Më parë kishte më shumë ekuilibër në ekip se sa tani. Finalja e humbur me Francën nuk ishte ndeshja e jetës time: nuk isha mirë. Por, katër vite më vonë, kur mendoja që nuk do të luaja më, mbas një dëmtimi të tmerrshëm, jeta më dha shansin e hakmarrjes. Gjëja më e bukur ishte që u riktheva të luaja. Kur u ndjeva i lodhur dhe filluan të shtoheshin dhimbjet, u tërhoqa dhe tani po shijoj jetën në Madrid dhe familjen time”, përfundon Ronaldo Fenomeni.