Vardi i hap rrugën brezit të ri, jep dorëheqjen nga “Tri Luanët”

Xhemi Vardi ka vendosur të japë dorëheqjen nga përfaqësuesja angleze. Lajmin për këtë vendim të sulmuesit e jep e përditshmja angleze “The Guardian”. Sulmuesi i Lester Sitit do të mbushë 32-vjeç në janarin që vjen dhe nuk e shikon veten të vlefshëm për kombëtaren e drejtuar nga Gareth Sauthgejt.

“Sa vij e po plakem dhe trajneri dëshiron që t’i japi akoma më shumë mundësi lojtarëve të rinj, diçka kjo që do t’i vijë në ndihmë kombëtares në të ardhmen siç ndodhi dhe në Botëror. Kështu që i thash trajnerit se do të ishte më mirë që të ndanim rrugët”, tha 31-vjeçari.

Në moshën 24-vjeçare Vardi luante për Halifaksin në kategorinë e gjashtë angleze. Djaloshi nga qyteti i Shefilldit kurrë nuk do ta imagjinonte as në ëndrrën më shfrenuar se një ditë do të ishte pjesë e përfaqësueses së “Tri Luanëve” e aq më pak fitimin e një titulli të Premier League. Në tri vite Vardi luajti 25 ndeshjen me kombëtaren e Anglisë ku gjeti shtatë herë rrugën e rrjetës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *