Jo vetëm fitorja i ka kënaqur vlonjatët kundër Kukësit. Sokol Kushta, një nga legjendat e Flamurtarit, ka vetëm fjalë të mira për kuqezinjtë dhe veçon punën e bërë nga trajneri Ilir Daja. Ai analizon atë që ka parë në fushë fillimisht.
“Duke ndjekur ndeshjen, dje pashë një ndryshim total mentaliteti nga vitet e shkuara. Pashë një ekip të vendosur mirë në fushë, një ekip me dëshirë dhe që dinte çfarë kërkonte. Pash një ekip fizikisht , taktikisht të përgatitur përballë një kundërshtari të fortë, më të përgatitur për kampionat. Kukësi nuk qe dobët, por Flamurtari qe ai që nuk e la të shpaloste asnjë nga cilësitë e saj më të mira. Megjithëse një ekip i ndërtuar me vonesë, dha akoma pa marrë formën e plotë. Me la shije të mirë, kisha vite që nuk shikoja Flamurtarin të lozte me një takim, me krahë, krose, markime dhe gjuajtje”.
Kushta i jep meritat stafit teknik, ndërkohë që ka edhe një vërejtje që lidhet me fushën. “E gjithë kjo punë i përket stafit të ri dhe Dajës. Kjo nisje është një sfidë e bukur për të dhe duhet të vazhdoje kështu të marrë ato frute që kërkon ai. Një vërejtje për fushën: nuk i takon këtij investimi madhor ajo cilësi fushe, që ndikoi negativisht në cilësinë e lojës”, përfundon Kushta.