Shpërdorimet e shumta po kthehen në një makth për skuadrën e Kukësit. Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, mendon se aty është pika ku çalon më së shumti ekipi i tij. Në intervistën për emisionin “Gol pas Goli” në “SuperSport”, tekniku shkodran theksoi se skuadra e tij ka nevojë për ndërhyrje të tjera në repartin e sulmit.
Ndeshja – “Rezultati nuk vjen rastësisht. U treguam të pakujdesshëm në një moment dhe u ndëshkuam. Laçi pati vetëm një mundësi dhe shënoi. Nuk na rrezikoi për asnjë moment, por ne vijmë me shumë lodhje fizike prej lojërave të Europës”.
Rastet e humbura – “Rexhinaldo humbi raste, por mbetem i kënaqur me të. Ai e ndihmon shumë ekipin duke vrapuar gjatë të gjithë lojës, por gjithë ky shpenzim energjie të bën që të mos jesh aq i saktë para portës. Sulmi nuk është vetëm Rexhinaldo ose Harba, sepse janë edhe lojtarët anësorë. Patëm raste për të shënuar edhe dy gola, por gabuam.”
“Elbasan Arena” – “Nuk luajmë në shtëpi, natyrisht që është një minus i madh. Është një fushë e huaj që ndikon te futbollistët, por gjithashtu dhe mungesa e tifozërisë ka ndikim e saj.”
Merkato – “Merkato nuk është mbyllur dhe jemi në tratativa me disa lojtarë, por nuk e di kur mund të vijnë. Të gjithë në klub kemi dëshirë të përforcojmë skuadrën me lojtarë që bëjnë diferencën. Por, prapëseprapë e treguam me Torpedon, që dimë të krijojmë raste, por finalizimi po na ndëshkon. Duhet të ndërhyjmë për ta rregulluar këtë. Shpërdorimet po na kushtojnë shumë, po harxhojmë energji, s’po shënojmë dhe kundërshtarët po shfrytëzojnë në maksimum këtë gjë”, përfundon trajneri i Kukësit.