Paulo Bento, ruan kujtime të këqija nga kombëtarja shqiptare. Tekniku portugez u pushua nga puna si trajneri i përfaqësueses luzitane pas katër vitesh, pikërisht nga humbja 0-1 ndaj Shqipërisë, ku goli i Bekim Balajt në minutën e 52-të filloi rrugëtimin tonë drejt Europianit “Francë 2016”.
Dy vite më vonë pas eksperiencave në klube të ndryshme në Brazil, Greqi dhe Kinë, Bento është gati t’i rikthehet edhe njëherë punës në kombëtare. Sipas raportimeve në mediet aziatike, tekniku portugez do të jetë trajneri i ri i kombëtares së Koresë së Jugut.
Koreja e Jugut është një ndër shtetet që prodhon lojtarët më të shumtë në kontinentin aziatik, por prej një dekade, kombëtarja e vendit aziatik po stonon në arenën ndërkombëtare duke mos arritur suksese në Turneun Aziatik dhe me paraqitje shumë të dobëta në Botëror.