Humbja e thellë e pësuar ndaj Partizanit në miqësoren që Tomori ka zhvilluar të shtunën në Peqin duket se ka zbuluar disa nga problemet me të cilat ballafaqohet skuadra beratase në këtë periudhë përgatitjesh.
Përtej formës fizike jo optimale, kjo humbje i ka dhënë të kuptojë stafit drejtues se Tomori nuk është ende gati dhe i kompletuar, ndryshe nga sa mund të pretendohet për të startuar si pretendent kampionatin e ardhshëm në Kategorinë e Parë.
Tashmë del si problem kryesor mungesa e elementit cilësor, çka do të thotë se nevojiten përforcime me futbollistë që janë në gjendje të udhëheqin skuadrën në fushë dhe mbi të gjitha të bëjnë diferencën me pjesën tjetër që është aktualisht në skuadër.
Duke nisur nga dita e hënë, pritet që nga ana e stafit teknik të vihen “pikat mbi i” , në mënyrë që të gjenden lojtarë ekspertë, pasi me një skuadër përgjithësisht me elementë të rinj, duket qartë se tek Tomori ka ende shumë punë për të bërë.
Edi Spahiu