Kukësi përforcon sulmin me një element që e ka provuar Superioren më parë. Emanuel Mensah ka arritur marrëveshjen me verilindorët dhe “Sport Ekspres” mëson se ditën e sotme ganezi pritet që të vihet nën urdhrat e trajnerit Armando Cungu.
Dita e nesërme do të jetë ajo e prezantimit, gjë që do të ndodhë pasi sulmuesi të kryejë vizitat mjekësore dhe të nënshkruajë kontratën që e lidh me Kukësin. Mensah sezonin e fundit është aktivizuar në Superligën greke.
Futbollisti 24-vjeçar fillimisht ishte pjesë e Atromitos, ndërsa më pas luajti me Kërkyrën. Pas një viti rikthehet në Shqipëri, ku ka provuar një eksperiencë me Laçin. Në 17 ndeshje me kurbinasit arriti të shënonte 4 gola, ndërkohë që spikati me veprimet e tij teknike.