Humbja 3-0 është realisht e një rezultat shumë i vështirë për t’u përmbysur. Thuajse i pamundur, duke vlerësuar diferencat e Laçit me norvegjezët e Moldes.
Gjithsesi, kurbinasit do ta provojnë dhe Regi Lushkja hedh sfidën. Mesfushori beson te mrekullia, edhe sepse këtu qëndron bukuria e futbollit.
“Është një humbje e thellë dhe duket si një mision i pamundur, por ky është futboll dhe asnjëherë nuk i dihet. Kemi besim te forcat tona. Jemi një ekip me lojtarë të rinj, që vrapojmë shumë dhe zbatojmë orientimet e trajnerit. Pse jo, të provojmë të pamundurën”, tha Lushkja për “Super Sport”.
Pas katër sezoneve si protagonist te bardhezinjtë, ndoshta ky mund të jetë momenti për të bërë hapin e madh. 22-vjeçari ia lë çdo gjë kohës: “Jam shumë i lumtur te ekipi i Laçit, por le të shohim në vazhdim çfarë do të ndodhë”.