Kategoria Superiore nis më 19 gusht, por më parë do të zhvillohet finalja e Superkupës së Shqipërisë mes Skënderbeut dhe Laçit. Që në finalen e Kupës u dha sinjali i parë që në ndeshjet që do të luhen në vendin tonë nuk do të ketë më policë në shkallët e stadiumit.
Shpesh ka pasur probleme dhe forcat e rendit duhet thënë se nuk kanë përgatitjen e duhur për të menaxhuar ndeshjet. Shpesh ka protagonizëm mes tyre dhe tifozëve dhe zgjidhja më e mirë është parë që tanimë policët të qëndrojnë jashtë stadiumit dhe të ndërhyjnë kur të jetë e nevojshme.
Tanimë klubet duhet të planifikojnë pagesat për stjuartët, që duhet të jenë në numër të konsiderueshëm në ndeshje të caktuara. Mbetet për t’u parë se si do të shkojë kjo mënyrë e re organizimi, që është pranuar edhe nga ana e klubeve pas propozimit të Federatës Shqiptare të Futbollit raporton Supersport.