Torres ende “thatë”, Iniesta feston suksesin e parë japonez

Sagan Tosu dhe Jubilo Iuata barazuan pa gola mesditën e sotme, në një ndeshje që u ndoq me interes të madh mbi të gjitha për faktin se tek vendasit debutoi nga minuta e parë Fernando Torres.

Sulmuesi i famshëm debutoi javën e shkuar duke luajtur pak minuta në humbjen 1-0 të Sagan Tosut kundër Vegalta Sendait, ndërsa sot ishte titullar si sulmues i majtë.

Përballë 14,333 tifozëve Best Amenity Stadium, Torres luajti një ndeshje të mirë dhe krijoi jo pak rreziqe, por goli nuk erdhi dhe Sagan Tosu mbetet në vendin e parafundit, një pikë poshtë Gamba Osakas, që shkon në play-out nëse renditja mbetet kjo, por kampionati japonez sapo ka nisur fazën e dytë.

Ndërkaq, spanjolli tjetër legjendar, Andres Iniesta, siguroi fitoren e parë japoneze në debutimin e tij në formacionin titullar për Visel Koben, që mposhti 1-0 Kashiua Rejsolin në shtëpi.

Kobe shënoi në minutën e 66-të dhe Iniesta doli mes ovacioneve në minutën e 82-të. Në renditje Kobe është në vendin e katërt, 5 pikë larg vendit të tretë, që kualifikohet për në Champions League të Azisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *