Naftëtari në gjumë, tifozët irritohen me indiferencën

Deri tani në skuadrën e Naftëtarit nuk ka asnjë lëvizje për sa i përket sezonit të ardhshëm futbollistik, në të cilin skuadra kuçovare do të jetë pjesëmarrëse në kategorinë inferiore. Oas kësaj situate vërtetë të zymtë dhe pa asnjë shpresë për momentin, sportdashësit kuçovarë janë ndierë shumë të shqetësuar.

Shqetësimin e tyre e ka shtuar edhe indiferenca zyrtare më së shumti, ku si klubi i futbollit ashtu edhe presidenca e Naftëtarit, deri më tani duhet thënë se kanë qëndruar krejtësisht pasivë. Një nga legjendat e skuadrës kuçovare, ish-portieri i mirënjohur Mjeshtri i Sportit Fatmir Ismaili, në një prononcim për Sport Ekspres është shprehur: “Për një skuadër e njohur dhe me tradita si Naftëtari është krejt e pafalshme indiferenca e treguar deri më tani nga ana e strukturave përgjegjëse. Me të drejtë opinioni futbolldashës shqetësohet, dhe ndonëse skuadra ka rënë në Kategorinë e Dytë, sërish si klubi ashtu edhe presidenca duhet të flasin në këtë periudhë, dhe jo të kalojnë në heshtje gjithçka që ka të bëjë me rindërtimin e skuadrës.

“Jemi Naftëtari, me traditë në futbollin shqiptar, ndaj strukturat drejtuese dhe përgjegjëse duhet të flasin dhe të tregojnë projektet dhe jo të sillen sikur jemi një skuadër e rëndomtë e kategorisë inferiore”, ka mbyllur me jo pak shqetësim dhe ironi legjenda e portës së Naftëtarit, Partizanit dhe ekipit tonë kombëtar Fatmir Ismaili.

Edi Spahiu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *